Policia tregon dhëmbët arreston qytetarin pa maskë (video)

Kushtrim Sylejmani gjatë ditës së sotme është përballur me një situatë jo të mirë deri sa ishte duke e kryer punën e tij si taksist.

Sylejmani pretendon se u thirr që të shkoj në stacion policor nga disa zyrtarë policor, ndërsa nuk pranoi duke shtuar se pretendonte që ata do të ushtronin dhunë ndaj tij.

Disa video – incizime të cilat ka siguruar KALLXO.com, tregojnë ngjarjen e cila ka ndodhur gjatë ditës së sotme në qendër të Mitrovicës ku Sylejmani ishte ndaluar nga disa zyrtar policor për shkak se nuk po i respektonte rregullat kundër COVID-19.

“Unë kam qenë në orar të punës, si taksist kam qenë me pasagjerë. Na ka ndal policia dhe na ka dënuar me gjobë, përfshirë edhe mua sepse nuk e kam pasur maskën por edhe pasagjeren e cila ka qenë në taksi dhe të cilën isha duke e dërguar deri në destiancionin ku kishte kërkuar që ta dërgoj. Na shqiptuan dënimin policia dhe unë isha në rregull me dënimin të cilin e pranova pa bërë zhurmë”, tregon Sylejmani ngjarjen.

Ai shton se kur zyrtarët policor të cilët shihen edhe në video-incizime i kishin dhënë gjobën e shqiptuar, të njëjtit ia kishin marrë dokumentacionin personal.

“Ata ma dhanë dënimin, ndërsa i kishin harruar dokumentet në veturën e tyre. Pastaj kërkova dokumentet e mia dhe u thash a ka mundësi të më jepni dokumentet sepse pa dokumente nuk mund të vazhdoj punën. Pasi i kërkova dokumentet, më thanë shko dërgoje pasagjeren në destinacion e më pas hajde edhe i merr dokumentet”, thotë ai.

Më pas, Sylejmani thotë t’ju ketë thënë policëve duke ju thënë se ‘dënimin e mora nuk ke pse më ndal më shumë’.

“Dhe përë këtë ndoshta ju erdhi mërzi, sepse ua kam ngrit zërin kur i kam kërkuar dokumentet. Ata po sillen sikur po mendojnë janë gjithçka”, vazhdon të rrëfej Sylejmani për KALLXO.com.

Pasi që kishte tentuar që të mos përballej edhe më vonë me policinë, Sylejmani kërkoi sërish nga policët që t’ia kthenin dokumentet.

I njëjti rrëfen për KALLXO.com se ishte nxjerrë nga vetura ku punonte si taksist për t’u dërguar më pas në stacionin policor.

“Unë nuk pranoja kurrqysh me shku. Pse me shku në stacion kur nuk kisha asnjë faj? Unë isha shumë mirë t’u punu. Pastaj ka ardhur një polic civil, pa u prezantu ma përpara se është zyrtar policor, më ka kap edhe më ka mbështet për veture dhe tani aty unë nuk munda ma me qëndru dhe më pas ndodhi edhe pjesa tjetër ajo çka ndodhi”, ka thënë mitrovicasi i cili rrëfen se një situatë të tillë nuk do të donte që t’i ndodhte edhe dikujt tjetër.

Pamjet të cilat ka siguruar KALLXO.com, tregojnë se zyrtarët policor të cilët shihen në pamje e rrethojnë Kushtrim Sylejmanin ndërsa i njëjti në shenjë pakënaqësie i drejtohet me zë të lartë se dëshiron që t’i kthehen dokumentet.

Të shumta kanë qenë lajmet të cilat ka publikuar KALLXO.com në lidhje me pakënaqësitë e qytetarëve dhe ankesat e tyre në lidhje me trajtimin e zyrtarëve policor.

Mbi 10 zyrtar policor janë suspenduar disa nga ta edhe arrestuar nga Inspektorati Policor i Kosovës në lidhje me keqtrajtimin e qytetarëve gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.