Nexhat Ugljani - Kryesues i Kuvendit Komunal, Mitrovica Veriore

Miratohet kërkesa për nënshkrimin e peticionit për shkarkimin e kryetarit Erden Atiq

Kuvendi Komunal i Mitrovicës Veriore e ka dhënë pëlqimin për shfrytëzimin e hapësirës publike për mbledhjen e nënshkrimeve për peticionin në lidhje me shkarkimin e kryetarit Erden Atiq. Ky peticion është organizuar nga grupi iniciatorë serbë.

Sipas kryesuesit të Kuvendit, Nexhat Ugljani, numri i nevojshëm i qytetarëve për dhënien e nënshkrimit është 3640.

“Me delegatët e Kuvendit Komunal në konsultime sipas kërkesës e cila ka ardhë të premten nga grupi iniciues, ne si Kuvend Komunal kemi vendosur me dhënë hapësirën publike ku e kanë kërku, hapësira publike është Salla e sporteve në pjesën veriore për mbledhjen e peticionit për shkarkimin e kryetarit. Nga Komisioni zgjedhor e kemi marrë numrin e 20% , ai është 3,640 nënshkrime”- ka thënë Uglijani.

Tutje ai potencoi se afati i fundit për mbledhjen e nënshkrimeve është 22 janari 2024.

“Ata sipas afatit janë të obliguar deri më 22 janar 2024 me i pru peticionet te kryesuesi i Kuvendit Komunal, i cili është i detyrueshëm sipas udhëzimit administrativ me i dërgu në Komision Zgjedhor. Por, udhëzimi administrativ e parashikon edhe një lehtësim për grupin inicues që nuk janë në gjendje, nëse kanë ndonjë telashe apo problem munden me lyp edhe 15 ditë”.

I pyetur se kur pritet të mbahet peticioni, Ugljani tha se “sipas informatave ata do ta mbajnë më datë 17 apo 18 janar”.

Erden Atiq u zgjodh kryetar i kësaj komune në prill të vitit të kaluar në zgjedhjet që u mbajtën në katër komunat veriore të Kosovës.

Ai pozitën që e fitoi e mori zyrtarisht më 19 maj 2023, pas betimit që ai bëri.

Disa muaj më vonë, më 13 tetor 2023, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ndryshoi qëndrim duke njoftuar se do të marrin pjesë në zgjedhjet e paralajmëruara në katër komunat veriore.

Zgjedhjet e 23 prillit në të cilat katër komunat  – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan e Leposaviq – u fituan nga kryetar shqiptarë, u bojkotuan nga Lista Serbe.