MINT mohon se pezullimi i licencës së Klan Kosovës është sulm ndaj lirisë së mediave

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka dalë me një komunikatë për media pas reagimeve të shumta të cilat e kanë cilësuar pezullimin e licencës së mediumit Klan Kosova si sulm ndaj lirisë së shtypit.

Këtë gjë MINT e ka quajtur si të paarsyeshme dhe të paqëndrueshme.

“Në mbrojtjen e saj, media private Klan Kosova, e cila është një nga aktivitetet e Klan Kosova Sh.P.K, ka deklaruar se ky është një sulm ndaj lirisë së mediave. Kjo është larg nga e vërteta. Organet që rregullojnë regjistrimin e biznesit dhe aktivitetet e medias janë dy organe shumë të ndara” – ka thënë MINT-i.

Kjo ministri ka shtuar se regjistrimi i bizneseve bëhet nga Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve, ndërsa organi përgjegjës për licencimin dhe ushtrimin e aktiviteteve të medias është Komisioni i Pavarur për Media dhe jo Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve.

“Të gjitha institucionet publike janë të udhëzuara që jo vetëm të respektojnë, por të ndihmojnë dhe të përforcojnë mbështetjen për median e lirë dhe të pavarur. Kjo mbështetje është evidentuar nga organizatat ndërkombëtare si Reporterët pa Kufij” – thuhet në njoftimin për media.

Ministria ka thënë se organizatat e pavarura, të lira, objektive dhe profesionale të medias janë aleatët e tyre, në përpjekjet për të zhvilluar një shoqëri të lirë dhe demokratike dhe për ta ruajtur atë.

MINT me 14 qershor ka marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” Sh.P.K.

Ministria ka njoftuar se ka iniciuar kallëzim penal ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

Ministria ka thënë se në rastin konkret të ndërrimit të pronarëve të biznesit Klan Kosova Sh.P.K, dëshmia e regjistrimit nga shteti i Maqedonisë së Veriut, në përmbajtjen e saj dëshmon se qytetet e Kosovës, të cilat në këtë rast janë Gjakova dhe Peja, paraqiten si qytete të Serbisë (Gjakovë, Serbi dhe Pejë, Serbi).

“Përveçse, në realitet shoqëria aksionare me përgjegjësi të kufizuar Klan Kosova, është i pasaktë në regjistrim, ky akt përforcon narrativën e rreme se Kosova është ende nën okupimin serb. Prandaj, bie ndesh me parimet tona kushtetuese”-ka thënë ministria.

Në komunikatën për media është thënë se ky vendim nuk është përfundimtar i njëanshëm, pasi procedurat ligjore i mundësojnë Klan Kosova Sh.P.K. që brenda 30 ditësh ta kundërshtojë pezullimin para Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Ministria ka thënë se si i tillë, vendimi aktual nuk ka pasoja ligjore,

“Domethënë se Klan Kosova Sh.P.K mund të kryejë aktivitetet e saj derisa Komisioni të marrë vendim për këtë rast dhe të na udhëzojë se si të procedohet më tutje”-ka thënë ndër të tjera kjo ministri.

Sonte mediat si: RTV Dukagjini, T7, RTV21, Kanal10, në orën 20:00, kanë vendosur për pesë minuta në ekranet e tyre moton “Demokracia vdes në errësirë! #beteja e medias” si shenjë solidarizimi me kolegët e Klan Kosovës.

Vendim i MINT ka nxitur reagime të shumta.

Edhe Bashkimi Evropian ka reaguar në lidhje me pezullimin e licencës së televizionit Klan Kosova.

Përmes një reagimi në rrjetin social Twitter, BE-ja ka thënë se është duke monitoruar nga afër zhvillimet dhe vëmendja është tek ndikimi i mundshëm në lirinë e medias.

“BE mbetet e përshkushtuar në mbrojtjen dhe promovimin e lirisë së shprehjes dhe informimit në Kosovë” – thuhet në reagim.

Ndërkaq, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) i ka dhënë 30 ditë afat televizionit Klan Kosova që të plotësojë të gjitha dokumentet e biznesit pranë Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK).

Në rast se nuk plotësohen dokumentet, KPM do të marrë masa.

Raportimet e KALLXO – LINK .