Bedri Istrefi me akuza ndaj Albin Kurtit: Mos i dëgjoni njerëzit që shkelin Kushtetutën çdo ditë

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi përmes një konferencë për media ka ngritur akuza ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit.

Istrefi ka deklaruar se do të penalizohen militantët “me shirita të kuq”, që po i zbatojnë vendimet e qeverisë Kurti.

“Vendimet të cilat i merr Albin Kurit, që ti zbatojnë militantët me shirita të kuq nëpër institucione publike, nuk do të penalizohet Albin Kurti, por do të penalizohen ata që i marrin vendimet. Mos të dëgjohen njerëzit që çdo ditë e shkelin kushtetutën e ligjet”, tha Istrefi në konferencën për media.

Ai e ka quajtur të paligjshme mbledhjen e Bordit të Përkohshëm të Telekomit të Kosovës e cila është ftuar për sot.

“Në kohën time është anuluar kontrata me Z-Mobile, janë ndërprerë edhe 17 kontrata tjera të dëmshme”.

Istrefi ka deklaruar se në Bordin e Përkohshëm të Telekomit ka anëtarë që kanë të kaluar kriminale.

“Në bordin e drejtorëve të instaluar politikisht, ka anëtarë që kanë të kaluar kriminale nëpër gjykate. Kërkoni nga ta që të nxjerrin të kaluarën kriminale që s’janë nën hetime”, tha tutje Istrefi.

Istrefi ka deklaruar në mes tjerash se të gjithë anëtarët e bordit të përkohshëm të Telekomit janë njerëz të Lëvizjes Vetëvendosje.