Ndërtesa e Telekomit të Kosovës Foto: KALLXO.com

Nisin hetimet pas një incidenti të dyshuar në mbledhjen e bordit të Telekomit

Prokuroria e Prishtinës ka njoftuar se ka pranuar një informatë nga Policia e Kosovës nëpërmjet një e-mail – shënim zyrtar nga Ministra Rozeta Hajdari.

Ky e-mail – shënim ka lidhje me një incident që ka ndodhur më 24 prill, në Telekomin e Kosovës, gjatë një mbledhjeje të bordit të Telekomit.

Më 24 prill, bordi i Telekomit kishte mbajtur një mbledhje pas të cilës ka shkarkuar kryeshefin ekzekutiv të kësaj kompanie, Bedri Istrefi, dy zëvendëskryeshefa ekzekutivë dhe zyrtarin kryesor financiar të kompanisë.

Prokuroria ka njoftuar se pas analizimit të këtij rasti kanë autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore lidhur me sqarimin e rastit në fjalë.

Ndërsa pak para se të fillonte mbledhja e bordit,  kryeshefi ekzekutiv tashmë i shkarkuar Bedri Istrefi në një konferencë për media kishte bërë thirrje bordit të mos e dëgjojë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, i cili, sipas tij, “e shkel Kushtetutën çdo ditë”.