Ndërmarrja Publike “Telekomi i Kosovës”, Foto: Valon Fana, KALLXO.com.

Më shumë se dy vjet nga dorëzimi i kallëzimit penal, Prokuroria pa rezultate për kontratën Paykos - Telekom

Prokuroria e Prishtinës ende nuk i ka finalizuar hetimet e nisura për rastin e kontratës së lidhur në mes të Telekomit të Kosovës dhe kompanisë “Paykos” edhe pse kallëzimi penal ishte dërguar në qershor të vitit 2020 nga ana e Telekomit të Kosovës.

Derisa Prokuroria ende nuk ka vendosur të ngris aktakuzë apo t’i mbyll hetimet, kontrata është duke u trajtuar edhe në Arbitrazhin Ndërkombëtar pasi është dërguar nga ana e kompanisë “Paykos” në vitin 2021, pas shkëputjes së njëanshme të kontratës nga ana e Telekomit të Kosovës.

Telekomi i Kosovës i ka dërguar një shkresë Policisë së Kosovës në muajin gusht të vitit 2022, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, për të kërkuar sqarime se në cilën fazë kanë arritur hetimet, duke ia listuar edhe një herë pretendimet e tyre për shkeljet që janë bërë në këtë kontratë dhe dëmin që ata pretendojnë që i është bërë kompanisë. 

Kërkesë të ngjashme, Telekomi i kishte bërë edhe Prokurorisë se Prishtinës, marrë parasysh se rasti është duke u trajtuar nga Arbitrazhi Ndërkombëtar. Prokuroria e Prishtinës e ka konfirmuar se rasti është duke u trajtuar.

“Pasi kjo çështje penale është në proces, çdo informatë e dhënë në këtë fazë të procedurës dëmton integritetin e hetimeve” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Prishtinës për KALLXO.com dhënë më 26 shtator 2022.

Tutje ata kanë sqaruar se rasti i kontratës së lidhur në mes të “Paykos” dhe Telekomit të Kosovës ishte dërguar nga një Prokurori në një tjetër Prokurori.

“Referuar rastit për të cilin keni parashtruar pyetje ju njoftojmë se, Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka dërguar lëndën për trajtim në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, mirëpo është vlerësuar se kjo lëndë bie në kompetencë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka vazhduar të trajtohet tutje” – thuhet më tej në sqarimet e Prokurorisë.

Kontrata për shitjen e mbushjeve të operatorit “Vala”, të nënshkruar mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë “Paykos”, është në duart e Policisë dhe Prokurorisë që nga muaji qershor i vitit 2020 kur Telekomi i Kosovës kishte dorëzuar për herë të parë një kallëzim penal.

Telekomi i Kosovës i kishte dërguar edhe një herë gjitha pretendimet e tyre në Policinë e Kosovës duke thënë se dëmi nga kjo kontratë mund të shkojë deri në 5.4 milionë euro. 

Në dokumentin e dërguar te Policia e Kosovës nga ud.kryeshefja e Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, në muajin gusht të vitit 2022, ajo ka ngritur shqetësimin për zvarritjen e këtij procesi në Polici e Prokurori. 

“Edhe pse këto të dhëna janë paraqitur në kallëzim penal që janë dërguar në Prokurori dhe prokurorja e rastit disa herë ka bërë intervistime, deri më tani nuk jemi në dijeni të ndonjë aktiviteti konkret drejt një hetimi të plotë të këtij rasti me pasojë dëmtimin në vlera milionëshe ndaj Telekomit” – thuhet në dokumentin me informacione të dorëzuar  në Departamentin për Hetimin e Krimeve Ekonomike më 28 gusht 2022, në lidhje me dëmin e shkaktuar ndaj Telekomit të Kosovës nga kontrata me “Paykos”.

Por, në Prokurori ishte diskutuar edhe më herët çështja e lëndëve të dorëzuara nga Telekomi i Kosovës. KALLXO.com e ka siguruar një dokument të datës 8 gusht 2022, që i është dërguar kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku nga kryeprokurori i Prokurorisë së Prishtinës, Kujtim Munishi. Munishi në këtë dokument i tregon Malokut për fazën në të cilën janë lëndët e dorëzuara nga Telekomi, në të cilën bën pjesë edhe rasti i kontratës në mes kompanisë “Paykos” dhe Telekomit. Në fund, Munishi zotohet që këto lëndë do të trajtohen me prioritet.

“Këto lëndë do të trajtohen me prioritet dhe në këtë mënyrë do të jemi koshientë [të vetëdishëm] dhe efikas në zgjidhjen e lëndëve të parashtruara nga Telekomi i Kosovës, si aset i Republikës së Kosovës” – thuhet në përgjigjen e kryeprokurorit Munishi për kryesuesin e KPK-së, Jetish Maloku, të cilën e ka siguruar KALLXO.com.

Ndërsa specifikisht për lëndën e dorëzuar në Prokurori nga menaxhmenti i Telekomit për kontratën me kompaninë “Paykos”, është thënë se janë në pritje të veprimeve policore.

“Kjo lëndë është regjistruar në departament të përgjithshëm dhe se nga prokurori i çështjes jemi njoftuar se ka ndërmarr veprimet prokuroriale duke autorizuar Policinë e Kosovës – Njësinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë, për ndërmarrjen e veprimeve shtesë. Aktualisht, jemi në pritje të veprimeve policore” – thuhet në përgjigjen e 8 gushtit të kryeprokurorit të Prishtinës për kryesuesin e KPK-së.

Edhe Zyra Kombëtare e Auditimit kishte gjetur shkelje në Marrëveshjen Paykos- Telekom në raportin e vitit 2020. Auditori kishte konstatuar se janë regjistruar përfitime të rritura “Paykos” nga provizionet e rritura përmes ankes-kontratave nga Telekomi i Kosovës, anekse këto të nënshkruara pas kontratës bazë.

Gjetjet e parregullësive të kësaj kontrate nga Zyra e Auditorit kanë bërë që menaxhmenti i Telekomit të Kosovës, në qershor të vitit 2021 ta njoftojë kompaninë “Paykos” për mosvazhdim të Memorandumit për Mirëkuptim të vitit 2016, për shkak se ishte në kundërshtim me kontratën e nënshkruar në vitin 2015. 

Pas shkëputje të kontratës, në qershor të vitit 2022, Telekomi i Kosovës është njoftuar se kompania “Paykos” e ka dërguar atë në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar. KALLXO.com ka marrë vesh nga burime brenda Telekomit se “Paykos” po kërkon dëmshpërblim në vlerë 800 mijë euro nga Telekomi i Kosovës. 

KALLXO.com ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga menaxhmenti i kompanisë “Paykos” në lidhje me pretendimet e tyre në padinë e dorëzuar në Arbitrazh, por të njëjtit kanë thënë që për shkak të konfidencialitetit nuk mund të përgjigjen.

Për t’u mbrojtur në Arbitrazh ndaj kompanisë “Paykos”, Telekomi i Kosovës ka angazhuar studion ligjore “Baker McKenzie” me bazë në Vienë, me një kontratë në vlerë 225 mijë euro.

Deri më tani ende nuk është mbajtur asnjë seancë në Arbitrazh dhe të njëjtët janë në procesin e zgjedhjes së arbitrave. Arbitrazhi Ndërkombëtar merr parasysh edhe hetimet lokale që janë duke u zhvilluar për këtë rast.

Fillet e kontratës dhe dëmet e pretenduara nga Telekomi

Më 16 mars të vitit 2015, Telekomi i Kosovës kishte nënshkruar një marrëveshje për shitjen e produkteve të Valës me kompaninë “Peykos”. Nga viti 2015 deri në vitin 2017, sipas dokumentit që menaxhmenti i Telekomit të Kosovës e ka dorëzuar në Krime Ekonomike, janë nënshkruar edhe 4 aneks-kontrata një memorandum dhe një marrëveshje komerciale, kurse në periudhën pas vitit 2017 e deri në shkëputje të kontratës janë nënshkruar 5 aneks-kontrata të tjera, pra në përgjithësi janë nënshkruar 9 aneks-kontrata, një memorandum dhe një marrëveshje komerciale. 

Nga viti 2015 deri në vitin 2017, kryshef i Telekomit ka qenë Agron Mustafa, ndërsa anëtarë të bordit kanë qenë: Rexhë Gjonbalaj, Afrim Loku, Bislim Zogaj, Gani Sylaj, Naim Hyseni, Suzana Andjelkovic. Kurse, nga shkurti i vitit 2019 deri në prill të vitit 2020 kryshef ka qenë Bedri Istrefi, ndërsa anëtarë të bordit të emëruar nga marsi i vitit 2018 deri në shkurt të vitit 2020 ishin Besa Shatri, Skender Hoti, Osman Ejupi, Sead Ujkani, Fidel Krasniqi (i zëvendësuar nga Shkëlzen Ibrahimi), Suzana Andjelkovic. Për një kohë në vitin 2020, ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës ka qenë Zeqir Kiqina.

Në marrëveshjen e parë parashihej që produktet e Valës të shiteshin me çmim të njëjtë si në pikat e Telekomit të Kosovës. Një mbushje elektronike në vlerë 1 euro mund të blihej 1 euro, njëjtë edhe për mbushjet e tjera me vlera më të mëdha. Në këtë kontratë, “Paykos” do të përfitonte një provizion prej 9.7 për qind, provizion më i lartë se ai që fitonte Posta e Kosovës nga një marrëveshje e nënshkruar në kohën e ndarjes së PTK-së.

“Paykos” ka qenë e obliguar me kontratë që të shtrijë rrjetin e saj nëpër 2 mijë pika nëpër të gjithë territorin e Kosovës. Ndërsa të gjitha këto pika është dashur të kenë shërbime online (kredi elektronike) jo më shumë se një vit që nga data e nënshkrimit të kësaj kontrate.

Sipas pikës 7 të kontratës bazë, kontrata ishte e vlefshme për 4 vjet, me mundësi vazhdimi edhe për vite të tjera. Pas nënshkrimit të kontratës në mars të vitit 2015, deri në vitin 2020 janë nënshkruar edhe 9 anekse të tjera, një marrëveshje komerciale dhe një memorandum.

Në dokumentin që Kryeshefja e Telekomit Burbuqe Hana kishte dorëzuar në Polici me 28 gusht 2022, thuhet se dëmi më i madh ndaj kësaj ndërmarrje është shkaktuar nga Memorandumi i Mirëkuptimit i nënshkruar në mars të vitit 2016 mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë “Paykos”. 

Në këtë dokument, Telekomi pretendon se mënyra se si ky Memorandum parasheh përllogaritjen e provizoneve ka ndryshuar esencialisht të gjitha llojet e provizioneve, duke i ngritur përqindjet e provizioneve në dëm të Telekomit të Kosovës për 18%.

“Vetëm ndryshimi i provizioneve bazë prej 9.7% i ka sjellë dëme Telekomit të Kosovës nga rreth 30 mijë euro për çdo 1.7 milion euro blerje që janë bërë nga “Paykos”, pra çdo muaj që nga viti 2015 Telekomi është dëmtuar nga rreth 30 mijë euro çdo muaj nga efekti i këtij Memorandumi. E njëjta ka ndodhur edhe për normat e tjera të provizioneve” – thuhet më tej në dokument.

Sipas llogaritjeve të Telekomit të Kosovës, dëmi i shkaktuar ndaj kësaj ndërmarrje nga ky Memorandum, nga viti 2015 e deri në maj të vitit 2021, kapin vlerën e 2.5 milionë eurove.

Në ditën e njëjtë me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit, në mars të vitit 2016 ishte nënshkruar edhe një aneks-kontratë. Sipas kësaj aneks-kontrate, Telekomi i Kosovës i shet kompanisë “Paykos” mbushje telefonike (kartela gërrithëse) të shumave 40 dhe 50 euro, me normë provizioni prej 30%, e që sipas Memorandumit llogaritej 35.4%.

“Arsyeja e shitjes me këtë normë provizioni ishte se gjoja bëhet fjalë për kartela gërrithëse të vjetra. Një arsye e tillë normalisht që nuk ka asnjë mbështetje financiare, sepse edhe sikur këto kartela të ishin të vjetra dhe të dëmtuara, vlera blerëse e tyre ka qenë minimale dhe në vend që të shiteshin me normë 35.4% ka mundur të asgjësohen dhe dëmi i vetëm i Telekomit do të ishte vlera blerëse e tyre sillet që sillet rreth disa mijëra euro (1,500 euro) e jo të shiten me provizion me vlerë qindra e mijëra euro” – theksohet në dokumentin e dorëzuar nga menaxhmenti i Telekomit të Kosovës në Departamentit për Krime Ekonomike.

Më 30 korrik të vitit 2019, vetëm dy ditë para se të ekzekutoheshin pagat e muajit korrik, Telekomi i Kosovës e kishte nënshkruar një aneks-kontratë me kompaninë ‘Paykos’ për shitjen e mbushjeve (kredive) të operatorit ‘Vala’. 

Telekomi kishte pranuar që t’i shes për 30 për qind më lirë ‘impulsat’ me qëllim që të pranojë pagesën në avancë në vlerë prej 1.5 milionë euro, të nesërmen më 31 korrik.

Dy ditë më vonë, më 1 gusht 2019, ishte nënshkruar një aneks tjetër që parashihte vazhdimin e kontratës edhe për dy vite të tjera. Sipas ankes-kontratës së 8-të, kontrata ishte e vlefshme deri më 1 janar të vitit 2023, ndërsa sipas aneks-kontratës së nënshkruar më 1 gusht të vitit 2019, kontrata ishte përcaktuar të vlente deri më 1 janar të vitit 2025.

Ky aneks parashihte që në rast të ndërprerjes së kontratës nga Telekomi, atëherë Telekomi obligohej të paguante dëm Paykosit në vlerën 30% të shitjeve mesatare që janë bërë përmes Paykosit në tri vitet e fundit.

“Shitja vjetore e Telekomit përmes Paykosit llogaritet rreth 18 milionë euro, pra i bie që Telekomi të paguajë Paykosin 30% të 18 milionë eurove apo rreth 5.5 milionë euro” – thuhet në dokumentin e dorëzuar në Krime Ekonomike nga Telekomi i Kosovës.

Dhe sipas tyre, në nenin 8.3.4 të kontratës së vitit 2015, kompensimi nga Telekomi i Kosovës në rast të shkëputjes së njëanshme të kontratës nga Telekomi i Kosovës, parashihej të mos kalonte vlerën prej 1.5 milion euro.

“Pra, ky aneks përveç që zgjat periudhën e obligimeve kontraktuale për Telekomin parasheh edhe trefishimin e kompensimit nëse e ndërpren kontratën” – vazhdon dokumenti i dorëzuar në Krime Ekonomike nga Telekomi i Kosovës.

Derisa para shkëputjes përfundimtare të kontratës nga ana e Telekomit të Kosovës, aneks-kontrata e fundit ishte nënshkruar më 4 dhjetor të vitit 2020.

“Paykos” është regjistruar në Kosovë si biznes më 1 dhjetor 2014, rreth tre muaj para nënshkrimit të kontratës me Telekomin e Kosovës.

“Paykos” kur kishte hyrë në partneritet me Telekomin e Kosovës në vitin 2015 nuk kishte hyrë si e vetme. Ajo kishte hyrë në partneritet me atëherë kompaninë britaniko – irlandeze “Payzone”.

“Payzone” ka qenë edhe partner teknologjik i “Paykos”. Për distribuimin e shërbimeve të Valës edhe nëpër zonat më të thella të Kosovës, “Paykos” kishte edhe partnerë të tjerë.  “Tobacco Sh.P.K”, e cila merret me shpërndarjen e duhanit ka qenë partnere e “Paykos” për rajonin e Prizrenit, ku hyjnë edhe Suhareka dhe Rahoveci. 

Po ashtu edhe pikat e UFP – Western Union, Moneta – Moneygram, Vllesa-Co etj. 

Partner tjetër i distribuimit për “Paykos” ka qenë edhe kompania “Gekos”, njëra prej kompanive të licencuara nga Agjencia Tatimore e Kosovës për arkat fiskale.