Ministrja Hajdari: Impakti ekonomik i tarifës nuk ka qenë ashtu siç kemi pritur

Ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për tarifën 100 për qind ka thënë që marrëveshja e CEFTA-s nuk i ka ndihmuar Kosovës.

“Kosovës i është imponuar të bëhet pjesë e marrëveshjes së CEFTA-s e cila ishte nënshkruar në vitin 2006 nga UNMIK-u në emër të Kosovës por që kishte hyrë në fuqi me 1 maj 2007. Që atëherë Kosova nuk ka përfituar as institucionalisht e as ekonomikisht nga kjo marrëveshje, për më tepër Kosova nuk është trajtuar barabartë nga shumë shtete të CEFTA-s”, tha ajo.

Sipas saj, statistikat tregojnë për rënie të eksporteve të Kosovës në drejtim të CEFTA-s në raport me Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën.

Ministrja Hajdari ka thënë që Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit i ka ndihmuar Kosovës.

“Për dallim nga CEFTA, Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit edhe me vendet e BE-së e cila tanimë mbush 4 vite zbatim. Kjo Marrëveshje ka sjellë rezultatet e para sidomos në aspektin tregtar ku edhe importet edhe eksportet janë rritur në mënyrë të konsiderueshme”, tha tutje ajo.

Sipas ministres së Ekonomisë, tarifa 100 për qind ia ka vështirësuar eksportin dhe importin bizneseve kosovare.

“Problemet me transitin me Serbinë, ndonëse ekzistojnë që nga viti 2008 kur Kosova ka shpallur pavarësinë e saj, ky problem ka dalë edhe më shumë në pah që nga aplikimi i tarifës duke ua vështirësuar bizneseve kosovare mundësinë jo vetëm të eksporteve por edhe të importeve nga vendet e BE-së përmes shfrytëzimit transit të territorit të Serbisë”, shtoi ajo.

Në fund ministrja Hajdari tha që ndikimi i tarifës në Kosovë nuk është ashtu siç është pritur.

“Ndonëse tarifën e kemi mirëpritur të gjithë, ndikimi dhe impakti i saj në realitetin ekonomik në Kosovë nuk ka qenë siç ishte pritur. Kjo për faktin e mekanizmave zbatues, monitorues dhe kontrollues të dobët. Unë si ministre pyes se si është menaxhuar zbatimi i taksës 100 për qind”, theksoi ajo.

Kjo seancë e jashtëzakonshme është thirrur nga deputetet e opozitës pasi që kryeministri aktual Albin Kurti javën e kaluara kishte prezantuar një sërë masash për heqjen graduale të tarifës 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina duke filluar me heqjen e tarifës ndaj lëndës së parë që importohet nga këto shtete duke filluar nga 15 marsi.

Ndërsa largimin e plotë të tarifës Kurti e premtoi vetëm nëse Serbia deri më 1 prill dëshmon se do ndalë fushatën për çnjohje ndaj Kosovës.