Ministria nuk ndan pronat në nënzona, i vlerëson njësoj të gjitha, si në periferi, si në qendër

Në emisionin “Kallxo Përnime” po diskutohet rreth rritjes së tatimit në pronën e paluajtshme.

Ligji parasheh që çdo 3-5 vjet të bëhet rivlerësimi i tatimit në pronë.

Jeton Abazaj, drejtor i Financave në Komunën e Pejës dhe udhëheqës i komitetit të financave në Asociacionin e Komunave të Kosovës, ka thënë se të gjitha komunat kanë bërë ankesë pasi që të njëjtat kanë kërkuar që të kenë vlerësim dhe ndarje të zonave.

“Për shembull të mos përfshijë zona e parë gjithë qytetin e Pejës, për arsye se ka specifika. Rruga prej rrugës dallon dhe kërkesë e komunave ka qenë nënzonimi. Të gjitha pronat në Pejë janë vlerësuar njësoj, pra diku rreth 30 mijë euro” – tha Abazaj.

Ai ka shtuar se ky nuk është vlerësim real i tregut.

Enver Haliti, deputet nga radhët e LVV-së, njëherësh anëtar në Komisionin parlamentar për Buxhet dhe Financa, ka thënë se sistemi nuk ka mundësuar që të bëhet vlerësimi në nënzona andaj këtë duhet ndryshuar.

“Derisa të bëhet ky ndryshim që të ndahet në nënzona MF-ja ka propozuar si masë emergjente faljen prej 100 eurove. Me këtë rivlerësim rritet edhe buxheti i komunave” –  ka thënë Haliti.

Ai ka shtuar se përgjegjësia kryesore për njoftimin e qytetarëve mbi këtë rivlerësim u bie komunave.

“Ky tatim është komunal, qytetarët paguajnë tatim për komunat dhe këto është dashur që t’i informojnë qytetarët me kohë për ndryshimet” – tha më tej ai.

Sebahate Ajeti Sadiku, drejtoreshë e Financave në Komunën e Ferizajt, ka thënë se në bazë të rivlerësimit të Ligjit mbi tatimin në pronë që e ka bërë Ministria e Financave, ka thënë se edhe në Ferizaj tatimi në pronë është rritur.

“Për shembull një apartament në qendër të qytetit më herët e kemi pasë vlerën 400 euro për metër katror, tash është 600 euro me rivlerësimin e ri” – tha Ajeti-Sadiku.

Sipas draftit të Projekeligjit për ndryshim/plotësimin e Ligjit për Tatimin në Pronë të Paluajtshme, parashihet “progresivitet i shkallës tatimore, lirim tatimor për vendbanimin parësor dhe tokat bujqësore, faljen tatimore për vitin tatimor 2023 dhe rregullat kufizuese për aplikimin e detyrimit tatimor, dhe interesit, përmes ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit Nr. 06/L005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme.”

Në fund të shkurtit, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e kanë mbështetur rezolutën e Lidhjes Demokratike të Kosovës për çështjen e tatimit në pronë.

Kundër kësaj rezolute votuan 48 deputetë, pro ishin 27 deputetë dhe 2 të tjerë abstenuan.

Më kërkesë të LDK-së ishte zhvilluar debat parlamentar lidhur me adresimin e çështjes së rritjes së tatimit në pronë.

Sipas LDK-së, qytetarët janë informuar me vonesë për shtrenjtimin e tatimit në pronë.