Ministria e Shëndetësisë në Gaza: Të paktën 23,084 palestinezë të vrarë që nga 7 tetori 2023

Të paktën 23,084 palestinezë janë vrarë dhe 58,926 janë plagosur në sulmet izraelite në Gaza që nga 7 tetori i vitit 2023, sipas shifrave të fundit nga Ministria e Shëndetësisë e Gazës të hënën. Ministria, që udhëhiqet nga Hamasi, ka thënë se 249 palestinezë u vranë dhe 510 u plagosën në 24 orët fundit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ndodhet në Tel Aviv, ku do të zhvillojë takime që kanë si qëllim ta bindin kryeministrin, Benjamin Netanyahu, ta zvogëlojë sulmin e Izraelit në Gaza dhe t’i fillojë negociatat serioze për qeverisjen e pasluftës në Gaza, si dhe më shumë për t’i mbrojtur civilët atje.

Zyrtarët izraelitë, ndërkohë, do t’i thonë Blinken se civilët në Gaza nuk do të lejohen të kthehen në veri të territorit nëse nuk lirohen më shumë nga pengjet e mbajtura nga Hamasi, raportoi Axios duke cituar dy zyrtarë të lartë izraelitë.

Në udhëtimin e tij të katërt në Lindjen e Mesme në tre muaj, Blinken po përpiqet gjithashtu ta ndalojë përhapjen e konfliktit përtej Izraelit dhe Gazës. 

Zyra e të drejtave të OKB-së ka thënë se është “shumë e shqetësuar” nga numri i gazetarëve të vrarë në luftën në Gaza, një ditë pasi dy reporterë të Al Jazeera u vranë në një sulm të supozuar izraelit në veturën e tyre. Ndërkohë, Gjykata e Lartë e Izraelit ka refuzuar një kërkesë nga organizatat ndërkombëtare të medias për të lejuar gazetarët të raportojnë në Gaza.

Izraeli e ka vrarë një komandant të lartë ushtarak në forcën elitare Radëan të Hezbollahut, Wissam Hassan al Tawil, në një sulm ajror në Libanin jugor afërsisht 6 km nga kufiri. Burime libaneze të sigurisë paralajmërojnë se vrasja mund të çojë në një përshkallëzim të mëtejshëm në konfliktin e vazhdueshëm midis Izraelit dhe lëvizjes së armatosur shiite.

Lëvizja Palestineze e Xhihadit Islamik ka publikuar video pamjet për të cilat pretendon se tregojnë një peng izraelit të marrë gjatë sulmeve të 7 tetorit. Pengu është emëruar nga mediat izraelite si Elad Katzir, 47 vjeç, nga kibuci Nir Oz.

Ekspertët e OKB-së kanë kërkuar përgjegjësi për dhunën seksuale të kryer nga militantët e Hamasit kundër civilëve izraelitë gjatë sulmeve të 7 tetorit, duke thënë se provat në rritje të përdhunimeve dhe gjymtimit gjenital tregojnë për krime të mundshme kundër njerëzimit. Autoritetet izraelite kanë hapur një hetim për krime të mundshme seksuale gjatë sulmit më vdekjeprurës ndaj Izraelit në historinë e tij./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala