COVID-19

Ministria e Shëndetësisë blen afro 10 mijë teste për COVID-19

Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar kontratë për blerjen e 9750 testeve për COVID-19 në shumë prej 77 mijë e 880 euro përmes kontratës “Furnizim Emergjent me material laboratorik për testim ne SARS-COV-2 për Corona-Virus”.

Vlera e përgjithshme e kontratës së nënshkruar është 157,925.00, ndërsa së bashku me testet, janë të planifikuara për t’u blerë edhe materiale shoqëruese të këtyre testeve në vlerë prej 80,045 euro.

Kjo kontratë ka afat 8 muajsh dhe është zhvilluar me procedurë të negociuar pa publikim paraprak të kontratës.

Periudha e liferimit të testeve sipas kontratës është 10 ditë.

Blerja e këtyre testeve do të bëhet me këste dhe të gjitha testet janë të dedikuara për Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 168,040.00 euro dhe i është dhënë kompanisë “Interlab SH.P.K.”e cila ka ofertuar me çmimin prej 157,925.00, eurove.

Kompania “Interlab SH.P.K.” nuk ka qenë kompania që ka ofertuar me çmimin më të lirë.

Fillimisht kontrata i është dhënë kompanisë “Vitech” Sh.p.k. e cila ka ofertuar me çmimin më të ulët prej 151,361.17 eurove.

Më pas kjo kompani është tërhequr për shkak se nuk ka mundur ta përmbushë kontratën.

Kështu kanë thënë nga Ministria e Shëndetësisë për KALLXO.com, e cila ka shpallur fitues kompaninë e dytë më të lirë , e cila ka pasur një shumë prej 6000 mijë eurosh më të lartë se kompania e parë.

Deri më sot, nga Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) janë testuar 9314 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive kanë rezultuar gjithsej 861 raste, me 28 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese si dhe janë shëruar 561 persona.

Ministria e Shëndetësisë ka pranuar nga donacione testesh nga UNDP dhe Qeveria e Luksenburgut.

Sot UNDP dhe Qeveria e Luksenburgut i kanë dërguar IKShPK 5 mijë teste ndërsa ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë kishte pranuar 3 mijë teste nga UNDP.

Në komunikatë e UNDP thuhet që marrëveshja me Qeverinë e Luksemburgut përmes Lux Development S.A. kap vlerën e përgjithshme prej 1 milion euro, nga e cila 460,000 do të përdoren për blerjen e deri 20,000 testeve të zbulimit dhe ekstraktimit COVID-19 për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.

Ministria ka pranuar donacion 1000 teste nga Turqia si dhe 1000 të tjera nga Serbia.