Foto: REL/Reuters

IKShPK pranon 3 mijë teste për COVID-19 nga UNDP

Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë sot ka pranuar 3 mijë teste për COVID-19 nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Këto teste sot janë dërguar në Departamentin e Mikrobiologjisë Molekulare pranë IKShPK.

“Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë i dhuroi sot 3,000 komplete testimi për zbulimin e COVID-19 Departamentit të Mikrobiologjisë Molekulare të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Po ashtu, nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë të ditur për KALLXO.com se dje kanë pranuar edhe 2,000 teste nga operatori ekonomik në bazë të kontratës së nënshkruar me kompaninë Eramed, pra brenda dy ditësh sipas ministrisë janë në dispozicion 5,000 mijë teste.

Nga Ministria e Shëndetësisë ditë më parë kanë deklaruar për KALLXO.com se posedojnë teste mjaftueshëm për COVID-19.

KALLXO.com dje ka raportuar se Ministria e Shëndetësisë është në procedurë të prokurimit edhe për blerjen e afro 10 mijë testeve për coronavirus.

Ministria e Shëndetësisë po planifikon të blejë 9,750 teste për COVID-19 në shumën prej 55 mijë e 250 eurove përmes kontratës “Furnizim Emergjent me material laboratorik për testim ne SARS-COV-2 për Corona-Virus”.

Së bashku me testet, janë të planifikuara për t’u blerë edhe materiale shoqëruese të këtyre testeve në vlerë prej 96,111.17 euro.

Kjo kontratë ka afat 8 muajsh dhe është zhvilluar me procedurë të negociuar pa publikim paraprak të kontratës.

Blerja e këtyre testeve do të bëhet me këste dhe të gjitha testet janë të dedikuara për Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 168,040,00 euro dhe i është dhënë kompanisë “Vitech” Sh.p.k. e cila ka ofertuar me cmimin më të ulët prej 151,361,17 eurove.

Ministria ka pranuar donacion 1000 teste nga Turqia si dhe 1000 të tjera nga Serbia.

Një muaj pas rasteve të para me coronavirus, Instituti i Shëndetësisë Publike ka njoftuar rreth mungesave të resurset humane të specializuara në epidemiologji deh mikrobiologji që po ballafaqohet në kohën e pandemisë COVID-19.

Sipas Institutit, në IKShPK janë 22 epidemiologë për të gjithë vendin ndërsa nevojiten edhe 17 specialistë të tjerë.

“Në IKShPK janë 22 epidemiologë për të gjithë vendin (përfshirë të punësuarit në 6 qendrat rajonale). Ndërsa 5 epidemiologë të tjerë punojnë në QKMF (Në 5 komuna: Obiliq, Podujevë, Istog, Drenas dhe Viti). Për nevojat bazike në një situatë të zakonshme nevojiteshin edhe 17 specialistë të tjerë. (5 specializantë për Epidemiologji për nivelin qendror dhe për çdo Qendër rajonale nga 2 specializantë)”, thuhej në njoftimin e Institutit.

Sipas Institutit, epidemiologët kanë kyç në hulumtim e mbikëqyrje të rasteve e kontakteve me sëmundje ngjitëse për t’i detektuar rastet dhe hulumtuar ato.

Sipas IKShPK epidemiologët bëjnë hulumtimin e kontaktimin e të gjitha rasteve të dyshimta me COVID-19, mbikëqyrjen e hyrjeve në pikat hyrëse kufitare; mbikëqyrjen e personave të karantinuar; grumbullimin-përpunimin dhe analizën-interpretimin e të dhënave; komunikimin me popullatën me rekomandime e këshilla.

Po ashtu, IKShPK po përballet dhe me mungesë të mikrobiologëve.

Sipas Institutit, aty punojnë vetëm 29 mikrobiologë ndërsa ka nevoja bazike edhe për 32 të tjerë.

“Në IKSHPK punojnë 29 mikrobiologë. (Në Prishtinë – 12 vetë dhe në 6 Qendrat -17 vetë). Nevojat bazike, në situatë të zakonshme kërkojnë edhe 32 mikrobiologë të tjerë. (për nivelin qendror – IKSHPK në Prishtinë + 8 specializantë për Mikrobiologji e për çdo QRSHP edhe nga 4 specializantë). Po ashtu, nevojiten edhe 29 specializantë për Mikrobiologji Klinike në SHSKUK (5 në Prishtinë) dhe për çdo Spital të Përgjithshëm Rajonal nga 4 specializantë (gjithsej 6 SPR x 4 = 24)”, thuhej në komunikatën e IKShPK.

Sipas tyre, që nga viti 2009 Laboratori i Mikrobiologjisë Molekulare është i vetmi i tillë në të gjithë Kosovën dhe aty punojnë 6 specialistë të Mikrobiologjisë dhe dy laborant.

“Kemi kërkuar ndihmë dhe nga 2 kolegë në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinës, Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” si dhe 1 kolegë në Agjencionin e Ushqimit dhe Veterinës, të cilët kanë ekspertizën e nevojshme”, thuhet më tej në njoftimi e IKShPK.

Në anën tjetër, hera e fundit kur ishte hapur konkursi për specializant, ishte viti 2016-të në kohën e ish ministrit Imet Rrahmani.

Ministria e Shëndetësisë planifikon blerjen e afro 10 mijë testeve për COVID-19