Departamenti Amerikan i Shtetit

ShBA e sanksionon ‘babën e tenderëve’, ia ndalon hyrjen në Amerikë

Departamenti amerikan i Shtetit e kanë sanksionuar Nexhat Krasniqin, zyrtar i prokurimit në Ministrinë e Mjedisit, Planfikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

DASh në vendimin e saj e ka caktuar si “të papërshtatshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të madh”

“Shtetet e Bashkuara e sanksionojnë Nexhat Krasniqin, ish-drejtorin e Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, si përgjithësisht të papërshtatshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të madh. Si zyrtar publik përgjegjës për mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, Krasniqi ka keqpërdorur pozitën e tij publike duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të parkut industrial në komunën e Drenasit nga kompania operuese Eltoni” – thuhet në vendimin e DASh-it.

Sipas DASH-it, veprimet e sotme të SHBA-së dëshmojnë se Uashingtoni qëndron me ata në Kosovë që kërkojnë përgjegjësi nga zyrtarët e korruptuar publikë.

“Veprimi i sotëm tregon se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me ata në Kosovë që kërkojnë llogari nga zyrtarët publikë të korruptuar. Ky emërtim ripohon përkushtimin e SHBA-së për të luftuar korrupsionin, i cili dëmton interesin publik, pengon prosperitetin ekonomik të vendeve dhe pakëson aftësinë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të njerëzve të tyre” – thuhet në vendimin e ShBA-s.

Me këtë vendim, i ndalohet Krasniqit dhe dy fëmijëve të tij hyrja në ShBA.

Vite më parë, Krasniqi ishte dënuar për keqpërdorim të detyrës brenda Ministrisë, por më vonë me vendim të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil (KPMSHCK), ishte kthyer në detyrë.

Ai ishte i përfshirë edhe në një rrahje në MMPHI në vitin 2022.