Aeroplan i "IranAir" - Foto: REL/Creative Commons

 Ministria e Infrastrukturës njofton mundësinë për ankesat ndaj fluturimeve

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar të gjithë ata që dëshirojnë të bëjnë ankesa rreth fluturimeve nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”.

“MIT në rast të mohimit të embarkimit, vonesave të gjata, apo anulim fluturimi ju fton të ndiqni procedurat e ankimimit. Mbrojtje për të gjitha këto u siguron Rregullorja 2008/5 për mbrojtjen e udhëtarëve, që është e njëjtë me Rregulloren 261/2004 të Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

“Të gjithë udhëtarët që kanë ankesa për një kompani ajrore, duhet ta plotësojnë formularin e BE-së të cilin mund ta gjejnë në ueb faqen e MIT dhe të njëjtën ta paraqesin në kompaninë në fjalë. Në rast se ajo brenda 6 javëve nuk u përgjigjet ose nuk jeni të kënaqur me përgjigjen e tyre, atëherë formularin duhet ta dërgoni në Departamentin e Aviacionit Civil në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit nëpërmjet e-melit [email protected], ose në adresën Bulevardi Nënë Tereza, ish Ndërtesa e Gërmisë 10000 Prishtinë, Republika e Kosovës”, thuhet tutje në komunikatën për media të MIT.

Sipas njoftimit, MIT nuk bënë kompensim të udhëtarëve që mashtrohen nga kompanitë ajrore, por ndërmerr masa ligjore kundër këtyre të fundit.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit është e gatshme të pranojë dhe shqyrtojë ankesat e juaja për udhëtimet përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Shfrytëzoni të drejtat tuaja! Republika e Kosovës kujdeset për ju!”, thuhet në njoftim.