Shkolla Fillore "Motrat Qiriazi", Prizren.
Ministria e Arsimit njoftoi për shitje të librave në shkolla për komunitetin boshnjak dhe turk, por ato nuk mbërrijnë në Prizren
Pretendohet se Ministria e Arsimit është dakorduar me shtëpitë botuese që tekstet shkollore në gjuhën turke dhe boshnjake të shiten drejtpërsëdrejti në vende të caktuara në komunat ku jetojnë këto komunitete.
Luljeta Veselaj-Gutaj, drejtoreshë e Arsimit në Prizren ka publikuar një e-mail që i është dërguar drejtorëve komunalë të Arsimit nga Ministria e Arsimit, më 29.08.2025, në të cilin njoftohen për dakordimin me shtëpitë botuese.
Veselaj-Gutaj përmes telefonit ka thënë për KALLXO.com se të mërkurën, më 03.09.2025, rreth 200 prindër janë mbledhur te shkolla fillore e mesme e ulët “Motrat Qiriazi” në Prizren, për t’i blerë tekstet shkollore të gjuhës turke dhe boshnjake në këtë shkollë.
“Ne i kemi njoftuar që nuk kanë ardhë [tekstet shkollore], përgjigjja e Ministrisë u kanë që e kemi ndërruar formatin, po çfarë formati tjetër, nuk na kanë njoftuar zyrtarisht dhe ne ende nuk e dimë se çka po ndodhë… Në ora 09:00 nuk janë kanë librat në shkollën “Motrat Qiriazi”, prindërit kanë qenë aty dhe kanë qenë shumë të revoltuar” – ka thënë Veselaj-Gutaj.
Veselaj-Gutaj ia ka përcjellë KALLXO.com-it email-in që e ka dërguar Nazan Safçi, udhëheqësja e divizionit për arsimin e komuniteteve në Ministri të Arsimit, më 29.08.2025.
“Kjo formë e shitjes së teksteve shkollore nga shtëpitë botuese në gjuhën turke dhe boshnjake është bërë me marrëveshje që ne si MAShTI me mbështetje nga DKA-të t’i ofrojmë kushte dhe të caktojmë vendet në komunat ku organizohet mësimi në gjuhë turke dhe gjuhë boshnjake, në data të caktuara po ashtu, që shtëpitë botuese t’i dërgojnë tekstet në këto vende dhe t’i shesin drejtpërdrejtë te prindërit-fëmijët e këtyre komuniteteve.” – shkruan në emalin e Safçit, më 29.08.2025.
Safçi ka bashkangjitur një orar me lokacione për shitjen e teksteve shkollore në gjuhën turke dhe boshnjake, në të cilin për Prizrenin figuron data 03.09.2025, vendi: Shkolla “Motrat Qiriazi”, nga ora 09:00 deri në ora 16:00.
Safçi në një bisedë për KALLXO.com nuk pranoi që të përgjigjet në lidhje me këtë e-mail, por kërkoi që përgjigjet të merren nga Zyra për media në Ministri të Arsimit.
KALLXO.com fillimisht e ka kontaktuar Arbërie Nagavcin, ministren në detyrë të Arsimit, por edhe ajo ka kërkuar që pyetjet të dërgohen te Zyra për media, të cilët nuk janë përgjigjur deri në publikimin e lajmit.
Taulant Kelmendi, zëvendësministri në detyrë i Arsimit, ka sqaruar për KALLXO.com se nuk ka dallim mes nxënësve për subvencionim të blerjes së teksteve shkollore.
“Qëndrimi jonë si kabinet, si Ministri e Arsimit është që mos m’u trajtu në mënyrë të margjinalizuar asnjë grup, qoftë etnik ose në linja tjera. M’u trajtu si të barabartë, secili nxënës i Republikës së Kosovës përfiton njëjtë subvencionim edhe aty ku ka probleme patjetër që e ndihmojmë edhe e asistojmë procesin, jo veç ne, po edhe drejtoritë komunale, edhe shkollat, edhe koordinatorët [e shkollave]” – tha Kelmendi.
E në një reagim të Ministrisë së Arsimit u tha se si në vitet e kaluara, subvencioni është i garantuar për çdo nxënës që ndjek mësimet në institucionet e Kosovës dhe se qëllimi i tyre i përbashkët është që të mos mbetet asnjë nxënës pa tekste shkollore.
Në anën tjetër, drejtoresha Veselaj-Gutaj tha se i ka njoftuar drejtuesit e shkollave që brenda hapësirave shkollore, në ambientet e shkollës nuk iu lejohet t’i shesin tekstet shkollore nga kushdo qoftë.
“Kudo le ta përzgjedhin një hapësirë tjetër, edhe një format tjetër, po në shkolla jo” – shtoi ajo.
Ajo tha se nxënësit e komuniteteve turk dhe boshnjak kanë vazhduar mësimin me tekste shkollore të huazuara, me aktivitete të cilat janë organizuar nga mësimdhënësit.
Ndërkohë, pasditen e sotme, Veselaj-Gutaj tha se “në shkollën “Lekë Dukagjini” ka shkuar një kamion me libra të një shtëpie botuese, nuk e di kush ka qenë, po veç me njoftimin, drejtoresha [e shkollës] nuk e ka pranu, ka thënë nuk kam njoftim zyrtar prej Drejtorisë [së Arsimit]. Na ka njoftu si DKA, iu kemi thënë nuk guxoni m’i hap dyert dhe me pranu asnjë shtëpi botuese, sepse mund të organizohen formate tjera”.
Sipas Veselaj-Gutajt, Ministria e Arsimit nuk është konsultuar paraprakisht me ta për formën e shitjes, blerjes së teksteve shkollore në gjuhën turke dhe boshnjake. Megjithatë, ajo mendon se formati më i mirë për shitjen e teksteve shkollore janë libraritë, jo shkollat.
KALLXO.com e posedon edhe adresimin me shkrim të Veselaj-Gutajt te Safçi, ku e njofton se tekstet shkollore nuk kanë qenë në shkollën “Motrat Qiriazi” më 03.09.2025, siç i kishte njoftuar ajo.
Duda Balje, deputetja e zgjedhur nga komuniteti boshnjak fillimisht njoftoi më 03.09.2025 në profilin e saj në Facebook se ka ndodhur një ndryshim i planit për të cilin Ministria është dakorduar me shtypshkronjën e shtëpive lidhur me shpërndarjen dhe blerjen e teksteve shkollore.
“Sipas informacioneve të reja, secili arsimtar do të marrë tekstet mësimore për klasën e tyre bazuar në listën e nxënësve, ndërsa prindërit mjetet financiare për blerje do t’i dorëzojnë tek mësimdhënësit dhe mësimdhënësit. Në komunikim me shtypshkronjat, është rënë dakord që shpërndarja nga shkollat të fillojë sot pasdite.” – ka shkruar Balje në Facebook.
Pastaj, Balje ka njoftuar se në oborrin e shkollës “Lekë Dukagjini” ka arritur një kamion me tekste shkollore.
“Në përputhje me procesin e shpërndarjes së dakorduar, sot secili mësimdhënës do të mbledhë libra për nxënësit e tyre.” – ka thënë Balje në njoftimin e saj.
KALLXO.com i ka pyetur shtëpitë botuese “Dukagjini”, “Albas”, “Pegi” dhe Shtypshkronjën “Berati” nëse është arritur dakordimi mes tyre dhe Ministrisë së Arsimit siç pretendohet për blerjen, shitjen e teksteve shkollore të gjuhës turke dhe boshnjake, por nuk ka marr ende përgjigje.