Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministri Quni tregon ku do të dërgohen në misione paqeruajtëse ushtarët e Kosovës

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni ka thënë se dërgimi i FSK-së në misione paqeruajtëse jashtë vendit është një nga momentet më historike në kohërat moderne.

“Është një ndër momentet më historike në kohërat moderne. Po besoj që në mungesë të informatave mund të ketë vlerësime dhe qëndrime të ndryshme. Falenderoj të gjithë deputetët, Komisionin Parlamentar, të gjithë akterët e kyçur për ta shtyrë këtë proces përpara”, tha Quni.

Sipas tij, është një operacion shumë kompleks, i determinuar nga shumë faktorë dhe ka filluar qysh në tetor të vitit 2019.

“Të gjitha këto përgatitje janë bërë në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet ushtarake amerikane. Nuk varet çdo gjë nga vullneti jonë, por edhe nga autoritetet e vendeve ku do të zbarkojnë. Do të jemi nën komandën qendrore amerikane, që do ta përfshijë Lindjen e Mesme dhe Afrikën Juglindore”, tha Quni në debatin Kallxo Pernime.

Sipas tij, edhe nëse Gjykata Kushtetuese do të nxirrte vendimin për rrëzimin e Qeverisë dhe shpërndarjen e Kuvendit, ishte alternativa për të nisur misionin.