Ministri: Në Kosovë nuk ka coronavirus, nuk ka nevojë për panik

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, sot në një konferencë për media ka bërë të ditur se një rast i dyshimtë me coronavirus është paraqitur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës., ndonëse tha se Kosova si shtet nuk ka nevojë për panik për shkak se deri më tash i kanë marrë të gjitha masat që të reagojnë në mënyrën më të mirë.

Sipas Vitisë, tash janë tri lokacione për të cilat po diskutohet funksionalizimi i karantinës në rast të ndonjë rezultati pozitiv të coronavirusit.

“Janë sugjeruar dy ore tri lokacione, por pa pasur gjëra konkrete ne nuk mund të ju informojmë”, tha ai.

Ndërsa ai shtoi se Kosova mund të preket me këtë virus për shkak se nuk është ndonjë problem i kufizuar në rajone të caktuara.

“Ne e kemi një komitet për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse dhe kanë punuar në mënyrë intensive gjatë këtyre javëve. Natyrisht se jemi të rrezikuar sepse nuk është një problem i kufizuar në rajone të caktuara dhe mund të ndodhë që këto raste të paraqiten edhe në Kosovë”, tha Vitija.

Ndërsa sa i përket aeroportit të Prishtinës, Vitia tha që se atje janë ekipi mjekësor dhe po e kryejnë punën.

“Në aeroportin e Prishtinës ka edhe staf shëndetësor dhe plani strategjik që ka dalë nga komiteti i monitorimit për sëmundjet ngjitëse është duke punuar, të shpresojmë se nuk do të paraqitet asnjë rast, por në çdo rast jam siguruar nga akterët që të reagojnë në mënyrën më të mirë të mundshme. Për momentin nuk ka nevojë për panik, nuk ka coronavirus në Kosovë”, shtoi Vitia.

Janë sugjeruar dy ore tri lokacione, por pa pasur gjëra konkrete ne nuk mund të ju informojmë.

Edhe pse konferenca u mbajt në klinikën infektike, ku edhe po kurohet pacienti i dyshuar me coronavirus, asnjë nga të pranishmit, duke përfshirë gazetarët, stafin shëndetësor, përfaqësues të MSh dhe përfaqësues të ambasadës italiane, nuk kishin asnjë masë mbrojtëse.

Vitia tha se për çfarëdo rasti do të njoftohen të gjitha mediat dhe opinioni publik në mënyrë transparente, në mënyrë që të mos ketë përhapje të panikut.

“Kemi pas një takim me drejtorin e SHSKUK-së dhe drejtoreshën e klinikës Infektive. Përgjigjja e tyre është se janë të furnizuar mjaftueshëm për momentin. E pamë që në Itali brenda një kohe të shkurt kishte një përhapje të gjerë të coronavirusit dhe nuk e di nëse mund të ndodh një gjë e tillë edhe te ne, por për momentin jemi siguruar se kemi barna të mjaftueshme”, ka deklaruar Vitia.