Millun Millenkoviq, Llune, i dyshuar për sulme ndaj KFOR-it dhe Policisë - FOTO: Laurant Berisha - KALLXO

Millun Millenkoviqit i vazhdohet paraburgimi edhe për 2 muaj

Gjykata e Prishtinës ia ka vazhduar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej dy muajsh Millun Millenkoviq, i njohur si Llune, që dyshohet për organizim të sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan.

Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.M., ashtu që masa e paraburgimit i është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy)muaj.

I dyshuari i njohur si “Llune” ishte arrestuar me 13 qershor 2023, nga zyrtarët e Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës në sheshin “Car Llazar” në Mitrovicën e Veriut.

Pas arrestimit të Millenkoviq, Prokuroria Speciale kishte parashtruar kërkesë për masën e paraburgimit ndërsa gjykata kishte vendosur për masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të njëjtit.

Arrestimi i tij krijoi një situatë të tensionuar, ku një grup i qytetarëve serb u mblodhën pranë vendit ku ai po arrestohej, në një lokal floktarësh, me qëllim të kundërshtoheshin veprimeve policore të NJSI-së që po ndërmerreshin.

Sipas Ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, Millenkoviq ka qenë një prej udhëheqësve të formacionit kriminal “Mbrojtja Civile”.

Prokurori i rastit kishte konfirmuar për KALLXO.com se i arrestuari ishte i përfshirë në sulmin ndaj zyrtarëve të KKZ-së bashkë me Dejan Pantiq i cili u arrestua nga Policët në dhjetor.