Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Milaim Zeka suspendohet nga puna në RTK

Milaim Zeka është suspenduar për 6 muaj nga menaxhmenti i Radiotelevizionit Publik të Kosovës (RTK).

Vendimi për shkarkimin e Zekës është marrë nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj.

Ahmetxhekaj ka thënë për KALLXO.com se vendimin për suspendimin e Zekës e ka marrë pas konfirmimit nga ana e prokurorisë se ndaj të njëjti janë tri aktakuza aktive.

“Kam kërkuar nga Prokuroria Themelore që ta sqarojë pozicionin e tij (Zekës) juridik dhe është konstatuar se ka tri aktakuza të konfirmuara dhe dy në proces”, ka thënë ai.

Shkarkimin e Zekës, Ahmetxhekaj e ka mbështetur edhe në vërejtjen e fundit të Komisionit Disiplinor të RTK-së ndaj Zekës.

“Paraprakisht Komisioni Disiplinor e ka ndëshkuar me vërejtjen e fundit më shkrim, që është një lloj para përjashtimit nga puna, për shkak të shkeljeve të rregulloreve të brendshme e që kanë të bëjnë me deklarimet e tij politike nëpër debatet politike, studiot e ndryshme që është e ndaluar me rregullore të brendshme. Kështu kam vepruar në bazë të këtyre rregulloreve dhe (Zeka) është suspenduar për 6 muaj nga puna”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Milaim Zeka ka thënë për KALLXO.com se nuk mund të komentojë vendimin për suspendimin e tij nga puna, pasi ai ende nuk e ka marrë atë.

“Nuk mund ta komentoj një vendim që nuk e kam pranuar. Kjo është fushatë mediatike kundër meje, kurgjo tjetër s’është, më tutje, kur ta marr vendimin i ndjekim procedurat me avokat, me gjykata, të gjitha”, ka thënë Zeka.

Zeka në RTK mbante pozitën e producentit ekzekutiv për programin satelitor.