Dr. Lul Raka

Mikrobiologu Lul Raka: Po futemi në dy javët vendimtare të përhapjes së coronavirusit

Kosova po futet në dy javët vendimtare për përhapjen e virusit COVID-19.

Kështu ka shkruar në Twitter Lul Raka, mikrobiolog dhe koordinator i bashkëpunimit me Qendrën Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Raka në publikim ka kërkuar disiplinë dhe kujdes nga qytetarët e Kosovës.

“Të dashur qytetarë të Kosovës!

Po futemi në dy javët vendimtare për jetërat e më të dashurve tanë!

Pasi që nuk kemi as vaksinë e as ilaç kundër koronavirusit, arma e vetme na mbetet diciplina dhe  kujdesi!

Fatin e përballjes e keni në duart tuaja! Ju lutem rrini në shtëpi!”, ka shkruar ai.

Në Kosovë, që nga 13 marsi janë konfirmuar 24 raste me COVID-19.

Qeveria ka marrë një numër të madh vendimesh për t’i pamundësuar virusit përhapjen te njerëzit.

Coronavirusi COVID-19 është një virus i ri për të cilin ende nuk ka ndonjë protokoll të shërimit dhe as vaksinë.

COVID-19 u shpall pandemi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila për herë të fundit kishte shpallur pandemi në vitin 2009 me virusin H1N1.