Rritja e numrit të rasteve me COVID-19, flet doktori Lul Raka

2 mijë e 459 raste të reja me COVID-19 janë shënuar vetëm gjatë tre ditëve të fundit në Kosovë.

Kjo e ka shtyrë Qeverinë e Kosovës që të miratoj masa të reja që pritën të hyjnë në fuqi nga 20 gushti.

Trendi i rritjes së numrit të rasteve me COVID-19 po konsiderohet i rrezikshëm nga mikrobiologu Lul Raka, e sidomos për kategorinë e personave të moshuar.

Raka për KALLXO.com tha se numri më i madh i rasteve po vërehet tek personat e pa vaksinuar dhe nën 30 vjeç.

“Fuqizimi i inspektimit nga autoritetet qendrore, e sidomos nga ato komunale do të duhej të ishte një prej pikave kryesore të përgjigjes. Këto ditë, numri më i madh i rasteve (gati 50%) vërehet te moshat nën 30 vjeç, të cilët zakonisht janë të pa vaksinuar dhe kanë shumë kontakte sociale, që ndikojnë në përhapjen e sëmundjes. Personat e kësaj grup moshe kanë shkallë më të ulët të hospitalizimit dhe vdekjeve. Ecuria e përgjithshme e hospitalizimit dhe vdekjeve mbetet të shihet ditëve në vijim dhe ndoshta masat kufizuese për ahengje nuk do ta presin 20 gushtin”, tha ai për KALLXO.com.

Për mikrobiologun një ndër arsyet që ka ndikuar në  rritjen e numrit të rasteve me COVID-19 në Kosovë është neglizhimi i masave nga qytetarët.

Tutje Raka kritikoi edhe numrin e ulët të inspektimeve ndaj këtyre masave nga niveli komunal.

Ai tha se kohëve të fundit përdorimi i maskave ka qenë i vogël nga qytetarët.

“Disa nga arsyet e përhapjes më të madhe të COVID-19 këto ditë janë varianti Delta, i cili është deri 60% më i transmetueshëm sesa varianti paraprak Alfa, inspektimet e pamjaftueshme nga policia dhe inspektoratet qendrore e komunale, neglizhimi i masave parandaluese nga popullata (nuk ka pasur përdorim te maskave në objekte të mbyllura apo transport publik edhe pse kjo masë ka qenë në fuqi), grumbullimet dhe intensifikimi i kontakteve të njerëzve (sidomos ahengjet) dhe sfidat e vaksinimit (hezitimi dhe refuzimi i vaksinimit nga një pjesë e popullatës)“, tha Raka për KALLXO.com.

Qeveria e Kosovës dje ka aprovuar masat e reja të cilat priten të fillojnë nga data 20 gusht deri më 10 shtator për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Të gjitha masat e aprovuara nga Qeveria e Kosovës kundër COVID-19 mund t’i gjeni në këtë link, KËTU.

Varianti Delta, është mutacion i Coronavirusit që përhapet më lehtë se variantet tjera. Fillimisht është identifikuar në Indi, mirëpo tani raste me të janë regjistruar në gjithë botën.

Mikrobiologu, Lul Raka tha për KALLXO.com se vaksinat kundër COVID-19 veprojnë edhe ndaj këtij varianti.