Pse nuk u raportuan të gjitha rastet e vdekjeve nga COVID-19?

Sot janë bërë 3 vjet nga konfirmimi i rastit të parë me COVID-19 në Kosovë.

Pikërisht për këtë temë po diskutohet në në emisionin “Kallxo Përnime”.

Lul Raka, mikrobiolog, ka thënë se jo vetëm në Kosovë por në gjithë botën nuk janë regjistruar të gjitha vdekjet nga COVID-19.

“Kjo quhet vdekje shtesë, ku janë disa raste, një pjesë e njerëzve nuk janë raportuar askund hiç, as s’ka shku në ambulantë, ka mujtë me vdekë në shtëpi pa u regjistru askund. Pjesa tjetër e rasteve të vdekjes është që pacientët kanë vdekur disa javë apo muaj pas trajtimit në kujdes intensiv, nëse ka nejtë 2-3 muaj në këtë repart dhe ka vdekë, kur është testu ka qenë COVID negativ, mirëpo në Intensivë ka shkuar për shkak të COVID-it, në fakt ka vdekë prej COVID-it por jo me COVID” – ka thënë Raka.

Ai ka shtuar se mesatarja e vdekjeve në Kosovë para COVID-19, pra në vitin 2019, është rreth 8 mijë në vit.

“Në vitin tjetër, pra në vitin e pandemisë 2020, në muajin e 7 apo 9, ka pasur mbi 10 mijë raste të vdekjes, kurse numri i vdekjeve nga COVID-i ka qenë relativisht i vogël në atë kohë” – ka shtuar Raka.

Ndryshe, më 13 mars 2020, u konfirmua rasti i parë me COVID-19 në Kosovë, më saktësisht në komunën e Vitisë.