Mësimdhënësit të dyshuar për sulmin seksual ndaj nxënëses në Deçan i sekuestrohet telefoni

Një mësimdhënës nga Deçani po dyshohet se ka kryer një sulm seksual ndaj një nxënëseje të mitur.

Ai është arrestuar e aktualisht gjendet në ndalim për 48-orë, përderisa Prokuroria Themelore në Pejë është duke e përgatitur edhe kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit në fjalë.

Ngjarja është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi.

Nikçi ka treguar se prokurori i shtetit ka marrë veprime hetimore për ndriçimin e plotë të kësaj çështjeje.

“Prokurori ka shkuar në stacionin policor dhe ka urdhëruar sekuestrimin e telefonit të të pandehurit” – ka thënë dje zëdhënësi për KALLXO.com.

Në anën tjetër, mësimdhënësi është suspenduar edhe nga puna.

Këtë e ka bërë të ditur për KALLXO.com kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili ka konfirmuar se rasti ka ndodhur të premten.

“Është një rast që na ka tronditur për nga natyra për shkak të respektit që e kanë pasur banorët për atë mësimdhënës, dhe nuk e di çka ka mujtë m’i ndodhë. Mirëpo është rast që na ka tronditur të gjithëve” – ka thënë Ramosaj.

Kryetari ka theksuar se menjëherë pas raportimit është marrë masa për suspendimin e mësimdhënësit deri sa të verifikohen procedurat e hetuesisë.

Ai ka bërë të ditur se drejtori i shkollës dhe drejtori i Arsimit e kanë denoncuar mësimdhënësin.

Deçan, ndalohet mësimdhënësi që dyshohet për sulm seksual ndaj një nxënëseje të mitur