Memli Krasniqi: ZRrE i ka vënë në haraç qytetarët

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike i ndau qytetarët në subjekte të pa barabarta “duke ju vënë haraç”.

“ZRrE që me vendimin e saj doli të jetë, jo veç mbi Kuvendin dhe deputetët por edhe mbi Kushtetutën e Kosovës dhe mbi sovranitetin e shtetit tonë sepse ajo i ndau qytetarët me vendimin e saj të djeshëm final në subjekte të pa barabarta, duke ju qitë haraç disave për të mbuluar koston e disa të tjerëve”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje ka krijuar iluzione për vite me radhë duke i mashtruar qytetarët për të iu marrë besimin.

“Një situatë hipotetike para rritjes së çmimeve do të dukej kështu; Kish me dalë Albin Kurti e me thanë i kemi sjellë nja 25 investitorë të huaj, i kemi hapur 25 fabrika të reja, i kemi punësuar 100 mijë të rijnë e të reja, pagën minimale e kemi bo 400 euro, pagën mesatare e kemi bo 700 euro, e kemi rritë efikasitetin e ekonomisë, e kemi rritë qarkullimin tregtar por edhe i kemi zbutë borxhet e tek tash, meqenëse kemi krizë energjetike po iu ftoj që këtë prosperitet të ri që e kemi, përmes qeverisjes së mirë duhet me nda një pjesë të hyrave që unë ju kam rritë për me përballu koston e energjisë”, ka thënë Krasniqi.

Kreu i PDK-së gjatë fjalimit të tij tha në Kuvend që të rinjët janë duke u larguar nga Kosova.

“Fatkeqësisht kurrë nuk ka ndodhë diçka e tillë siç po ndodhë në dy tre muajt e fundit e për gjatë gjithë qeverisjes së Albin Kurtit sepse vetëm dy muajt e fundit, mbi 100 mijë të rinj e të reja kanë trokite në dyert e ambasadave të huaja duke kërku shpëtim larg Kosovës”, deklaroi ai.

“Do ta kundërshtojmë rritjen e çmimit të energjisë elektrike me çdo mjet  ligjorë, në çdo instancë gjyqësore këtu në Kuvend por edhe me të gjitha mjetet demokratike për të kërkuar dy gjëra: shkarkimin e bordit të ZRrE-së që si pijuna të Albin Kurtit e kanë marrë këtë vendim me rëndu jetën e qytetarëve dhe anulimin e vendimit skandaloz për rritjen e energjisë elektrike“, ka shtuar Krasniqi

Zyra e Rregullatorit ka vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovat është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovat, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.

Po ashtu, bordi i ZRrE-së ka vendosur që blloqet do të vlejnë vetëm për konsumatorët shtëpiakë ndërsa për ata komercialë (bizneset) nuk do të ketë.

Kryetari i bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu deklaroi se 80% e konsumatorëve janë që shpenzojnë nën 800 kilovat energji elektrike në muaj.

Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi që nga nesër, më 9 shkurt 2022.