Foto: Memli Krasniqi/ Facebook

Memli Krasniqi e 'harron' vendimin e Kadri Veselit

Kryetari i ri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi nuk e ka përfillur një vendim të ish-kreut të PDK-së, Kadri Veseli për zyrtarët e partisë me aktakuza, të cilët Veseli kishte liruar nga detyra dhe ua kishte pamundësuar kandidimin në gara zgjedhore.

Të martën PDK-ja njoftoi se e ka kandiduar për kryetar të Komunës së Klinës Sokol Bashotën, i cili në shkurt të këtij viti ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Klinës për mosdeklarim të pasurisë.

Bashota ishte dënuar me burgim me kusht prej 6 muajsh me afat verifikimi prej 1 viti, si dhe me 1 mijë e 200 euro gjobë.

Rasti ndaj Bashotës është në procedurë pranë Gjykatës së Apelit, pasi Prokuroria dhe mbrojtja kanë ushtruar ankesë ndaj vendimit të Gjykatës Themelore.

Sipas aktakuzës, Sokol Bashota, akuzohet se nuk i ka deklaruar fare veturën “BMË X5”, në vlerë prej 65 mijë euro dhe as banesën prej 79 metra katrorë në Prishtinë, edhe pse e ka pasur për detyrë ta bënte një gjë të tillë.

Bashota po ashtu akuzohet se nuk i ka deklaruar as veturën “Jeep” dhe as të ardhurat vjetore 3.000 euro nga qiraja e banesës.

Sokol Bashota akuzohet për kohën sa ka qenë kryetar i Komunës së Klinës.

Në prezantimin e kandidaturës së Bashotës, kryetari i ri PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë që në Klinë se çdo projekt i madh zhvillimor që ka ndodhur në këtë komunë që nga paslufta e mban vulën e PDK-së dhe kryetarit Sokol Bashota.

“Qytetarët e Klinës po e kërkojnë rikthimin e PDK-së, sepse e dinë që zhvillim për Klinën ka vetëm me PDK-në”, tha Krasniqi sipas njoftimit të PDK-së.

Ndërsa, Sokol Bashota, tha se Klina duhet t’i kthehet zhvillimit pasi në vitet e fundit, sipas tij, ka degraduar nga qeverisja e keqe.

Memli Krasniqi është zgjedhur kryetar i ri i Partisë Demokratike të Kosovës, më 3 korrik të këtij viti.

Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 17 tetor të këtij viti.

Çka kishte marrë vendim Kadri Veseli?

Në qershor të vitit 2019 PDK-ja e rizgjodhi Kadri Veselin si kryetar të partisë, dhe vetëm tri ditë pas kësaj, ky i fundit  mori vendim që t’i lirojë nga të gjitha pozitat partiake dhe institucionale të gjithë zyrtarët e PDK-së që kanë aktakuza të konfirmuara nga institucionet e drejtësisë.

“Në mandatin e ri si Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, kam përcaktuar prioritetet tona themelore – si parti moderne me profil demokratik e perëndimor. Në fillim të kësaj jave, unë jam zotuar se do të angazhohem fuqishëm në luftën kundër korrupsionit, nepotizmit dhe dukurive të neveritshme të abuzimit”, kishte thënë Veseli më 19 qershor të vitit 2019.

Veseli po ashtu kishte liruar nga detyra edhe të gjithë të zgjedhurit brenda strukturave drejtuese të PDK-së që kanë aktakuza të konfirmuara dhe ky pezullim i funksioneve të tyre siç ishte shprehur ai vlente deri në aktgjykime.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare më pas ishin mbajtur më 6 tetor të atij viti.

PDK-ja në ato zgjedhje pati kandidat për kryeministër Kadri Veselin, ndërsa fushatën e kishte zhvilluar mbi zotimet për luftimin e korrupsionit në Kosovë. Fituese e zgjedhjeve ndërkaq kishte dalë Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit.

Kadri Veseli kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të PDK-së, pasi ndaj ti j në nëntor të vitit të kaluar u konfirmuar aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga ane Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë.

Veseli po gjykohet në Hagë bashkë me disa ish-pjesëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.