Foto: PDK

PDK propozon kandidat për kryetar të Klinës Sokol Bashotën, i cili u dënua nga shkalla e parë për korrupsion

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka kandiduar për kryetar të Klinës Sokol Bashotën, i cili në shkurt të këtij viti ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Klinës për mosdeklarim të pasurisë.

Bashota ishte dënuar me burgim me kusht prej 6 muajsh me afat verifikimi prej 1 viti, si dhe me 1,200 euro gjobë.

Rasti ndaj Bashotës është në procedurë pranë Gjykatës së Apelit, pasi Prokuroria dhe mbrojtja kanë ushtruar ankesë ndaj vendimit të Gjykatës Themelore.

Sipas aktakuzës, Sokol Bashota, akuzohet se nuk i ka deklaruar fare veturën “BMW X5”, në vlerë prej 65 mijë euro dhe as banesën prej 79 metra katrorë në Prishtinë, edhe pse e ka pasur për detyrë ta bënte një gjë të tillë.

Bashota po ashtu akuzohet se nuk i ka deklaruar as veturën “Jeep” dhe as të ardhurat vjetore 3.000 euro nga qiraja e banesës.

Sokol Bashota akuzohet për kohën sa ka qenë kryetar i Komunës së Klinës.

E sot, PDK ka njoftuar se Bashotës ia ka besuar kandidaturën për të parin e Klinës.

Në prezantimin e kandidatit, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë sot në Klinë se çdo projekt i madh zhvillimor që ka dodhur në këtë komunë që nga paslufta e mban vulën e PDK-së dhe kryetarit Sokol Bashota.

“Sokol Bashota ka dhënë shembullin e liderit të devotshëm që u rri afër qytetarëve, që angazhohet për ta, që punon mirë dhe fort për ta, pa lënë askënd prapa. Në këto katër vjetët e fundit, stagnimin e Klinës e ka parë secili. Çdokush mund ta ketë një rast për t’u dëshmuar, por askush s’mund t’i ketë dy raste pa dëshmuar asgjë. Prandaj, qytetarët e Klinës po e kërkojnë rikthimin e PDK-së, sepse e dinë që zhvillim për Klinën ka vetëm me PDK-në”, tha Krasniqi sipas njoftimit të PDK-së.

Ndërsa, kandidati për kryetar të komunës, Sokol Bashota, tha se Klina duhet t’i kthehet zhvillimit pasi në vitet e fundit, sipas tij, ka degraduar nga qeverisja e keqe.