Foto: Ministria e Mbrojtjes, Facebook

Mehaj takohet me homologen gjermane, kërkon përkrahje për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, është takuar me ministren e Mbrojtjes së Gjermanisë, Christine Lambrecht, ku ka kërkuar përkrahjen e shtetit gjerman për anëtarësimin sa më të shpejtë të Kosovës në NATO.

Mehaj ka kërkuar nga Lambrecht mundësinë e bashkë-zbarkimit të trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në misione ndërkombëtare, ku trupat gjermane janë të angazhuara.

“Mehaj theksoi se që të dy vendet gjithashtu ndajnë vlerat e përbashkëta në qeverisjen demokratike dhe kërkoi përkrahjen e shtetit gjerman për anëtarësimin sa më të shpejtë të Republikës së Kosovës në NATO”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.

Në këtë takim delegacionet kanë biseduar lidhur me situatën e sigurisë së Kosovës si dhe zhvillimet aktuale të sigurisë në regjion dhe më gjerë, pas agresionit të Rusisë mbi Ukrainën.

“Ministri Mehaj falënderoi Ministren Lambrecht për kontributin e dhënë për ofrimin e sigurisë nga trupat gjermane, që janë pjesë e KFOR-it”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, Lambrecht ka theksuar se shteti gjerman do të vazhdojë të ofrojë përkrahje për Kosovën.

Ajo ka theksuar se Kosova dhe Gjermania janë partnerë të besueshëm dhe të sinqertë më njëri tjetrin.

Në këtë takim u përmend mundësia e ripërtëritjes së Marrëveshjes së Mirëkuptimit në mes të dy vendeve si dhe nënshkrimin e Marrëveshjes SOFA, thuhet në komunikatë.