Mehaj: Nëse kërkon SHBA, jemi të gatshëm të ofrojmë të gjitha aftësitë dhe kapacitetet e FSK-së

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka thënë se janë të gatshëm që nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë nga Kosova, të angazhohen në operacione të përbashkëta.

Mehaj ka thënë se gatishmëria e tyre është që të ofrohen të gjitha aftësitë dhe kapacitetet operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës nëse SHBA-të vlerësojnë se mund të jenë kontributore në operacionet e mundshme.

“Nëse kërkohet nga SHBA, si partneri dhe aleati ynë jetik, për angazhimin tonë, jemi të gatshëm të ofrojmë të gjitha aftësitë dhe kapacitetet operacionale të FSK-së që ata vlerësojnë se mund të jenë kontributore në operacionet e mundshme”, është shprehur ai.

Tutje i pari i Ministrisë së Mbrojtjes ka pasur dy kërkesa, një për NATO-në dhe një tjetër për SHBA-të.

Kërkesa e parë ka qenë që Kosova të anëtarësohet në NATO.

“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj pa dallim, kanë dëshmuar dhe e dëshmojnë fuqishëm në vazhdimësi, orientimin e plotë dhe të natyrshëm euroatlantik, andaj edhe kërkojmë nga vendimmarrësit politik dhe ushtarak të NATO-s, që sa më parë të procedojnë me ftesën për anëtarësimin tonë në NATO”, ka thënë Mehaj.

Ai ka vlerësuar që kjo kërkesë duhet të trajtohet me seriozitetin maksimal dhe vendimmarrje konkrete pozitive.

Kërkesa e dytë e Ministrit të Mbrojtjes ka qenë që SHBA-ja të miratojë kërkesën për vendosjen e Bazës së Përhershme Ushtarake Amerikane në Kosovë.

Kjo kërkesë, sipas Mehaj, duhet të miratohet pasi ka kërcënime dhe rreziqe që cenojnë shumë seriozisht mjedisin e sigurisë, paqes, stabilitetit dhe demokracisë së rajonit të Ballkanit Perëndimor, nga politika destruktive dhe agresive e Rusisë dhe aleatëve të saj.

Mehaj ka treguar se janë duke u monitoruar me vëmendje maksimale situatën kritike të sigurisë në Evropë, që sipas tij është shkaktuar nga fillimi i agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës, si dhe implikimet për sigurinë rajonale, kontinentale dhe globale.

“Ministria e Mbrojtjes, me mekanizmat tanë, monitorojmë pandërprerë, të gjitha dukuritë dhe proceset rajonale e globale, si dhe synimet dhe aktivitetet e akterëve armiqësor që rrezikojnë sigurinë e vendit tonë nga jashtë”, është shprehur Mehaj.