Mehaj: Ekspertët e FSK-së të kibernetikës të gatshëm t’i kundërpërgjigjen çdo tentim sulmi

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se Njësia e Sigurisë Kibernetike e FSK-së është e gatshme për mbrojtje dhe kundërpërgjigje ndaj çfarëdo tentative që prek sigurinë kibernetike të vendit.

“Siguria kibernetike është një nga sfidat e rëndësishme në botën bashkëkohore, e posaçërisht në sistemin e sigurisë dhe mbrojtjes, për shkak të kompleksitetit të saj. Prandaj edhe Njësia për Siguri Kibernetike e Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së ka për qëllim kryesor, që të sigurojë besueshmërinë, integritetin dhe privatësinë e të dhënave të sistemit tonë nga sulmet potenciale kibernetike”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Sipas tij, fushata e informimit dhe vetëdijësimit nga ekspertët e FSK, për sfidat, kërcënimet dhe rreziqet e kësaj natyre si dhe masat preventive dhe reaguese, është sistematike.

“Për këtë, operatorët tanë, në gjithë sistemin e KTI-së, janë plotësisht të gatshëm në mbrojtjen dhe kundërpërgjigjen ndaj çfarëdo tentative. Vazhdojmë drejtë sukseseve të radhës!”, ka shkruar Mehaj më tej.