Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti | Foto: Atdhe Mulla

Me verëra e mish, dreka për përurimin e objektit të ri të Komunës, Vitisë i kushtoi mbi 379 euro

Mishi e alkooli vazhdojnë të jenë pjesë e tryezës së darkave dhe drekave zyrtare të Komunës së Vitisë.

KALLXO.com ka siguruar faturat e drekave dhe darkave zyrtare të Komunës së Vitisë për periudhën e viteve 2019, 2020.

Në disa nga këto fatura, me buxhet të Komunës janë paguar edhe pije të ndryshme alkoolike.

Një ndër to është edhe fatura e datës 7 nëntor 2019 në të cilën, Komuna e Vitisë kishte përuruar objektin e ri komunal.

Dreka zyrtare në të cilën kishin qenë të pranishëm ish – ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal, Adrijana Hoxhiq dhe shefi i Seksionit të Bashkëpunimit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Luigi Brusa.

Kjo drekë buxhetit të Komunës së Vitisë, i kishte kushtuar plot 379 euro.

Brusketat, byfteku, sallata e kombinuar si dhe ushqimet e tjera në këtë drekë, ishin shoqëruar me 4 vera të kuqe të cilat kishin kushtuar 60 euro.

Në fund të drekës, të pranishmit kishin pirë kafe të cilën e kishin shoqëruar me ëmbëlsirë të llojit, trileqe.

Traditën e pritjes me alkool e mish, Komuna e Vitisë e ka vazhduar edhe në vitin 2020, kur në mesin e pandemisë kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti e kishte pritur ministren e Kulturës, Vlora Dumoshi.

Dreka për të cilën kishte raportuar KALLXO.com kishte kushtuar 452 euro.

Në mes të pandemisë, kryetari i Vitisë dhe Vlora Dumoshi shpenzuan mbi 450 euro në raki e mish – DOKUMENT