Nata e Zjarreve (arkiv) | Foto: Atdhe Mulla

Me Natën e Zjarreve përmbyllet manifestimi Epopeja e UÇK-së

Me ndezjen e zjarreve në Prekaz është përmbyllur manifestimi treditor Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kullat e Jasharajve edhe këto ditë i hapën dyert për vizitorët në 24-vjetorin e epopesë.

Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat policore, ushtarake e paraushtarake serbe.

Synimi ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po i bënin regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Më 30 dhjetor të vitit 1991 ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari, ndërsa, sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kanë kryer në muajin janar 1998.

Më 22 janar forcat serbe e kanë sulmuar familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i kanë rezistuar.

Megjithatë, në këtë betejë që ka zgjatur afër 30 minuta, të plagosura kanë mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.Sulmi i tretë, që ka ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 u ka marrë jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit.

Këtij sulmi i ka mbijetuar vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia ka dalë që mes datës 5-6 mars të largohej nga rrethimi dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila ka parë dhe përjetuar tmerrin derisa ishin duke u vrarë anëtarët e familjes së saj.