"Më fliste djalli": Pendohet në gjykatë personi i akuzuar për kërcënim ndaj Presidentit dhe kryetares së Gjykatës Kushtetuese

Në gjykimin ndaj Gëzim Muratit i cili akuzohet për “shtytje në kryerjen e veprave terroriste”, është dëgjuar eksperti i psikiatrisë.

Gëzim Murati akuzohet se duke përdorur profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, ka kërcënuar presidentin Hashim Thaçi dhe Gjykatën Kushtetuese.

Sipas prokurorisë i akuzuari Gëzim Murati më 29 maj 2020, rreth orës 11:00 në Mitrovicë, me qëllim të organizimit për kryerjen e veprës terroriste, përmes rrjetit social “Facebook”, ka publikuar komentin e tij “Më në fund erdhi dita populli me e kall zyrën e presidentit Thaçi dhe Gjykatës Kushtetuese, Arta Hajrizi-Rama. Nëse populli së bënë këtë gjë, atëherë jemi njerëzimi më analfabet, më frikacak, më tradhtar e më i korruptuar në Ballkan”, dhe ky koment është shpërndarë nëpër mediat elektronike, thuhet në dispozitivin e aktakuzës.

Sipas vlerësimit të ekspertit, Bujar Obërtinca, i akuzuari vuan nga një çrregullim kronik, i cili ka nevojë për përcjellje permanente nga ana e profesionistëve të shëndetit mendor.

Në pyetjen e prokurores speciale Fikrije Fejzullahu, nëse përkundër trajtimeve që i akuzuari merr a paraqet rrezik për të tjerët, Obërtinca tha se nëse i njëjti i përfill rekomandimet e psikiatrit për përdorimin e rregullt të terapisë, rreziku për rrethin është minimal.

Sipas ekspertit Obërtinca, i akuzuari vuan nga një çrregullim kufitar i personalitetit, karakteristikat e të cilit janë impulsiviteti, inkotinenca emocionale që do të thotë se i njëjti mund të bëhet nervoz shumë shpejtë dhe të kaloj në hidhërim apo gëzim.

“Si pjesë e këtyre karakteristikave është pamundësia e funksionimit në rrethin social që manifestohet me raporte jo të mira njerëzore në pamundësi të mbajtjes së një vendi të punës. Duke i marrë parasysh këto, kemi konstatuar se i njëjti, në kohën e kryerjes së veprës ka qenë në një gjendje të përkeqësuar për shkak të mungesës së gjumit dhe të trajtimit adekuat”, u shpreh Obërtinca.

Kur i erdhi radha ta japë mbrojtjen e tij, i akuzuari deklaroi se ditën kritike kishte qenë në terapi dhe në gjendje të dëshpëruar nga ana psikike dhe fizike.

“Kam qenë i shqetësuar në ato momente, djalli apo dikush sikur më fliste në mendje dhe veshin tim, se po qe se ti nuk e shkruan atë mesazh do të ndodh diçka e keqe. Përkundër asaj e falënderoj Zotin, që ka qenë koment e nuk ka ndodh asgjë ndaj institucioneve publike”, u shpreh Murati.

Më pas në këtë shqyrtim gjyqësor është dhënë edhe fjala përfundimtare.

Prokurorja Fikrije Fejzullahu i ka propozuar gjykatës që të njëjtin ta shpallë fajtor ta gjykojë sipas ligjit dhe në të njëjtën kohë të ketë parasysh të gjitha rrethanat dhe provat që janë sigluara në këtë procese gjyqësor përfshirë madje edhe pendimin.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Muhamet Halimi nuk e ka paraqitur si kontestues faktin e shkrimit dhe publikimit të përmbajtjes e cila paraqet inkriminim, mirëpo e ka përjashtuar ekzistimin e dashjes direkte për shkak të gjendjes mendore dhe shpirtërore të të akuzuarit.

Në këtë seancë, prokurorja Fejzullahu ka konstatuar ndryshimin e aktakuzës lidhur me kompetencën, për shkak se kjo lëndë kishte kaluar nga Prokuroria e Mitrovicës në kompetencë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

“Më 28 korrik 2020, me vendim të kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale është pranuar kërkesa e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, që kjo lëndë të pranohet në kompetencë të kësaj prokurorie. Prokuroria Speciale, më 8 tetor 2020, paraqet aktakuzë të ndryshuar, ashtu që aktakuza ndryshohet kundër të akuzuarit Gëzim Murati, ndërsa dispozitivi mbetet i njëjtë”, ka thënë Fejzullahu.

Ndërsa e njëjta deklaroi se ka tërhequr nga aktakuza propozimin që të akuzuarit t’i shqiptohet masa e trajtimit të detyruar psikiatrik në liri.

Më pas kryetarja e trupit gjykues, Shadije Gërguri mori vendim se  shpallja e aktgjykimit lidhur me këtë rast do të bëhet më 12 tetor.