Me 1 dhe 2 dhjetor do të mbahet seanca e Apelit në çështjen Gucati dhe Haradinaj

Paneli i Gjykatës së Apelit ka caktuar seancën në çështjen e ish-krerëve të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Në bazë të njoftimit, seanca do të mbahet me datë 1 dhe 2 dhjetor 2022.

Gjykata e Apelit në Hagë do të trajtojë ankesën e mbrojtësve të dy ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Gucati e Haradinaj.

Apeli ka konstatuar se ankesa kundër aktgjykimit duhet të bëhet në bazë të parashtresës së dorëzuar me shkrim.

“Paneli thekson se rregulli 72(3) i Rregullores thotë se ankesa kundër një gjykimi aktgjykimi mund të përcaktohet tërësisht në bazë të parashtresave me shkrim”- thuhet në njoftim.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj më 18 maj 2022 u shpallën fajtorë për pengim të administrimit të drejtësisë, duke u dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me 100 euro gjobë. Ndërkaq, u liruan nga përgjegjësia penale për hakmarrje.

Gucati e Haradinaj u gjetën fajtorë sepse mes datave 7 dhe 25 shtator 2020 shpërndanë pa autorizim informacione konfidenciale dhe jopublike në lidhje me hetimet e Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së.

Sjellja e disa dokumenteve të Gjykatës Speciale në zyret e OVL-UÇK-së nga një person ende i panjohur e më pas bërja publike e tyre në konferenca mediatike, është arsyeja e gjykimit ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.

Haradinaj dhe Gucati akuzoheshin se gjatë shtatorit të vitit bën 2020 bënë deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me ZPS-në dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata, ndër të tjera, gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.

Ata akuzohen se shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial dhe jopublik në lidhje me hetimet konfidenciale të Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së, inkurajuan të tjerë të shpërndanin më tej informacion konfidencial dhe jopublik.

Sipas Dhomave të Specializuara të dy organizuan dhe bashkërenduan së bashku me disa të tjerë shpërndarjen e paautorizuar të informacionit konfidencial dhe jopublik dhe veprime të tjera në lidhje me të.

Madje në aktakuzë thuhet se të dy në cilësinë e kryetarit dhe nënkryetarit të OVL-UÇK-së mbajtën konferencë për shtyp në të cilën i ekspozuan dokumentet e DSP-së mbi një tavolinë.

Sipas DSP, Gucati e Haradinaj mbajnë përgjegjësi për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Të gjitha raportimet e KALLXO lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.