Mblidhet Kryesia dhe grupi parlamentar i PDK-së, mal kritikash për Qeverinë Kurti

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur sot mbledhjen e përbashkët të Kryesisë dhe grupit parlamentar, në të cilën është diskutuar për situatën politike në vend dhe koordinimin e agjendave të brendshme politike e legjislative të PDK-së në fillim të sesionit vjeshtor të Kuvendit të Kosovës.

Në komunikatën për media të PDK-së është kritikuar Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, duke theksuar se ajo është e dëmshme për qytetarët.

“Edhe një herë, në vazhdën e keqqeverisjes dhe veprimeve jo të përgjegjshme të Qeverisë, Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e saj në lidhje me thellimin e krizës politike, ekonomike dhe sociale në vendin tonë. Skandalet dhe aferat e njëpasnjëshme të kësaj Qeverie, nga arsimi, ekonomia, shëndetësia, drejtësia e deri te diplomacia, po përkeqësojnë çdo ditë mirëqenien e qytetarëve dhe pozicionin e shtetit të Kosovës”- thuhet në komunikatën e PDK-së.

Sipas partisë më të madhe opozitare, ‘korrupsioni masiv që ka kapluar institucionet dhe zyrtarët e lartë të kësaj Qeverie, shpërfaq paaftësinë e thellë dhe abuzimin e qëllimshëm me detyrat dhe përgjegjësitë zyrtare’.

“Për PDK-në, kjo Qeveri tashmë e ka humbur çdo kredibilitet dhe nevoja për t’u rikthyer tek qytetarët, përmes zgjedhjeve të parakohshme, është e domosdoshme. Kosova, sot, para se gjithash, ka nevojë për një Qeveri kredibile, të përgjegjshme, të aftë dhe e cila, në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë, do ta rikthejë vendin në kursin e duhur të zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik”- thuhet tutje në komunikatë.

PDK vazhdimisht ka kritikuar Qeverinë Kurti, por ende nuk ka marrë ndonjë iniciativë me partitë e tjera për ndonjë mocion mosbesimi.