Mbi 15 mijë studentë të paregjistruar në librin amzë, drejtori i AKA-së jep detaje për shkaqet

Në korrik të këtij viti Ministria e Arsimit deklaroi që e kanë trajtuar verfikimin e diplomave të më shumë se 15,463 studentëve që nuk janë në librin amzë.

Lidhur me këtë, drejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Naim Gashi, tha se shumica kanë figuruar si të tillë për shkaqe teknike.

“Shumica e këtyre problemeve të natyrës teknike kanë qenë tek universitetet publike. Studentë të Universitetit të Gjilanit, viti 2012-13 janë regjistruar në Universitetin e Prishtinës-dega në Gjilan, derisa kur kanë diplomuar e kanë marrë diplomën Universiteti i Gjilanit. Këta studentë kur kanë ardhur në Agjencinë e Akreditimit nuk u janë njohur ato diploma, për arsye se ka pasur shpërputhje mes regjistrimit dhe diplomimit”- ka thënë Gashi.

Gashi  tha se nga ky numër total, studentë të regjistruar jashtë kuotës në kolegje private janë 15-20 për qind.

“Ata që kanë regjistuar më shumë se që duhet studentë janë ndoshta 15-20 për qind pasi nuk e di numrin e saktë të këtij totali që e përmenda. Ka raste kur edhe ka pasur vonesa për dorëzim të listave në MASHT”- shtoi Gashi.

Sipas tij, i njëjti problem ka qenë edhe me Universitein e Mitrovicës.

Derisa, për studentët e kolegjeve private të paraportuar, Gashti theksoi se kanë marrë masa dhe në tre vitet e fundit kjo dukuri nuk ka ndodhur.