Rektorati. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

UP-ja ua ndalon profesorëve të saj angazhimin në kolegje private

Deri më 20 shtator të këtij viti, profesorët e Universitetit të Prishtinës kanë kohë që të përcaktohen se ku do të jetë angazhimi i tyre, në universitetin e shtetit, apo në kolegjet private.

Kjo pasi që Universiteti i Prishtinës ka marrë vendim që profesorëve të saj të ua ndalojë angazhimin në kolegjet apo institucionet e tjera private të arsimit të lartë në Kosovë.

Vendimi është marrë sot më 28 korrik nga Këshilli Drejtues i UP-së.

“Nuk lejohet angazhimi i personelit akademik në kolegje private të arsimit të lartë, përfshirë edhe deklarimin në Agjencinë e Kosovës për Akdredimit, si staf akademik i institucionit privat të arsimit të lartë apo mbështjetjen e çfarëdo forme të kolegjit privat të arsimit të lartë, në procesin e akreditimit të programeve dhe atë institucional” – thuhet në vendim.

Përveç në kolegjet private, Universiteti i Prishtinës  profesorëve ua ka ndaluar edhe angazhimin përmes marrëdhënies së rregullt të punës nëpër institucionet tjera publike, angazhim i cili mund të ndikojë në mospërmbushje të detyrave në UP, siç janë gjyqtarë, prokurorë, ministra, këshilltarë politikë, kryeshef ekzekutiv, e të ngjashëm.

Pra sipas vendimit, stafi akademik i UP-së për çdo 20 shtator duhet të përcaktohet se ku do të vazhdojë angazhimin, në UP apo në institucion tjetër.

“Personeli akademik nuk mund të ketë marrëdhënie të rregullt pune me UP-në dhe të jetë i emëruar në institucion publik, ku natyra e emërimit të tij dhe ngarkueshmëria në kuptim të angazhimit do të përputhej me specifikat e marrëdhënies së rregullt të punës, pra qëndrim në zyre brenda orarit të rregullt të punës, i cili përputhet me orarin e rregullt të punës në UP” – thuhet ndër të tjera në vendimin e UP-së.

Gjithashtu, Universiteti i Prishtinës u ka ndaluar profesorëve dhe stafit akademik që të marrin pjesë në aktivitete promocionale apo akademike në favor të një institucioni tjetër arsimor apo kërkimor, në atë mënyrë që të dëmtoj karakterin konkurrues të UP-së në tregun e arsimit të lartë.

“Ndërlidhur me këtë, rektori, bazuar në propozimin e Dekanit të njësisë akademike, mund t’ia ndaloj dhe kufizoj kontraktimin e punës jashtë UP-së, të punësuarit si personal akademik nëse një gjë e tillë ndikon negativisht në reputacionin dhe karakterin konkurrues të UP-së në tregun vendor dhe ndërkombëtar”.

Mosrespektimi i këtyre dhe pikave të tjera të vendimit, profesorëve mund të iu shqiptohen masa disiplinore si pezullimi i marrëdhënies së punës apo deri te ndërprerja e kontratës së punës.