Mbi 10 mijë euro gjobë për PDK-në për rastin në Han të Elezit

Partia Demokratike e Kosovës është dënuar me gjobë mbi 10 mijë euro nga Paneli Zgjedhor për Parashtresa dhe Ankesa.

“Subjektit politik, Partia Demokratike e Kosovës me seli në Prishtinë i shqiptohet dënime me gjobë në lartësinë prej 10,100.00 euro, për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, mbështetësit e tyre dhe kandidatët, me rastin e thyerjes së heshtjes zgjedhore”, thuhet në vendimin e PZAP.

Po ashtu Paneli Zgjedhor për Parashtresa dhe Ankesa ka vendosur që në Komunën e Hanit të Elezit të mos ketë përsëritje të zgjedhjeve.

“Refuzohet si e pabazuar pjesa e ankesës së kandidatit për kryetar të Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma kandidat i pavarur me të cilën ka kërkuar që të anulohet procesi i votimit për zgjedhjet lokale të datës 17.10.2021”, thuhet në vendimin e PZAP.

Zgjedhjet lokale në Kosovë janë mbajtur më 17 tetor.

Ditë më parë, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte anuluar të gjitha votat për kryetar të Komunës së Hanit të Elezit.

Këtë vendim PZAP e kishte marrë pas ankesës së kryetarit aktual, kandidatit të pavarur Rufki Suma. Në arsyetimin e PZAP-së thuhet se zgjedhjet janë anuluar “për shkak të minimit të integritetit të zgjedhjeve si rezultat i presionit dhe organizimit me qëllim të përfitimit të mbështetjes së votuesve”.

Ndërsa të hënën, Gjykata Supreme e Kosovës e ka kthyer në rivendosje vendimin e PZAP-së i cili katër i kishte anuluar zgjedhjet në Han të Elezit. Supremja ka kërkuar nga PZAP-ja që të vendosë edhe një herë në lidhje më këto ankesa.

Suma: Gjatë heshtjes zgjedhore në Han të Elezit pati shtetrrethim nga militantët e PDK-së