Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Suma: Gjatë heshtjes zgjedhore në Han të Elezit pati shtetrrethim nga militantët e PDK-së

Kandidati për kryetar të Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se në kohën kur ka filluar heshtja zgjedhore në këtë komunë ka pasur shtetrrethim nga militantët e PDK-së.

Suma po ashtu ka thënë që mobilizimi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka qenë aq i madh sa janë bllokuar të gjithë rrugicat e kësaj komune.

“Vërejtjet filluan të shfaqen sidomos në 24 orëshin e fundit, kur edhe fillon heshtja zgjedhore dhe ditën e zgjedhjeve. Gjatë kohës së heshtjes zgjedhore Hani i Elezit ka qenë në një shtetrrethim të plotë nga militantët e PDK-së, në orët e mbrëmjes në të gjitha rrugicat e të gjitha fshatrave kemi pasur militantë edhe pse në kohë të orës policore”, tha ai.

Suma ka thënë që qytetarët e Hanit të Elezit një ditë para zgjedhjeve janë kërcënuar, ndërsa në disa raste janë ndarë edhe mjete financiare duke kërkuar votën për PDK-në.

“Kanë dal i kanë kërcënu njerëzit nëpër vendbanime dhe krejt kjo sipas dëshmive tonë është bërë pikërisht për shkak se flitet se ato në rend të parë kanë dhënë mjete financiare, kanë shpërndare ndihma ushqimore, ose gjatë kohës kur është bërë këto aktivitet janë bllokuar kyçjet nëpër të gjitha rrugët dhe rrugicat”, tha ai.

Rufki Suma, i cili në zgjedhjet e 17 tetorit, kërkonte mandatin e tretë në krye të kësaj komune, në emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se në natën e heshtjes zgjedhore ka pasur të shtëna me armë dhe për këtë është informuar edhe Policia, e cila sipas tij nuk ka marrë ndonjë hap në këtë drejtim.

“Deri sa në këto lagje zhvilloheshin këto aktivitete, në pjesën tjetër të Hanit të Elezit kishte të shtëna me armë zjarri, për këtë kam njoftuar komandantin e stacionit, edhe pse i kanë pamjet e kamerave, nuk kemi ndonjë informatë se atë natë është ndërmarrë diçka”, tha ai.

Sipas tij, kundërkandidati Mehmet Ballazhi nga PDK në ditën e zgjedhjeve ka vizituar të gjitha qendrat e votimit në këtë komunë.

“Derisa kandidati për kryetar futej në të gjitha vendvotimet, shoqëruesit e tij që qëndronin në korridor kërkonin që të votohej PDK-ja ose eventualisht për kandidatin i cili ka qenë aty”, theksoi ai.

Në anën tjetër, kryeprokurori i Prokurorisë së Ferizajt, Shukri Jashari, tha që nuk ka pasur asnjë informacion për shtetrrethimin në Han të Elezit.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj nuk ka pasur asnjë informacion të kësaj natyre, sepse po të kishte pasur ndonjë informacion ajo gjithsesi do të kishte vepruar. As nga policia dhe as nga z. Suma apo dikush tjetër nuk kemi pasur informacion, është fjala për heshtjen zgjedhore”, tha Jashari.

Jashari paralajmëroi veprime ndaj komandantit të stacionit policor në Han të Elezit nëse vërtetohen pretendimet e Sumës.

“Nëse eventualisht komandanti i stacionit policor në Han të Elezit ka informacione dhe është njoftuar nga ana e z. Suma se me të vërtetë ka ndodhur kjo gjë, ne gjithsesi do të ndërmarrim veprime ndaj tij në inspektoratin policor”, theksoi Jashari.

KALLXO.com ka kontaktuar, Nuhi Demën, komandant në stacion policor në Han të Elezit. I njëjti ka konfirmuar se ka marrë telefonatë nga Suma, duke thënë që detyra i është ndarë policit kujdestar.

“Kam pasur telefonatë, e kam njoftuar kujdestarin, për të dërguar patrullë edhe në Paldenicë edhe në Seçishtë sa m’kanë njoftuar kanë dërguar patrullën, për më shumë nuk kam informacione. Kanë ndërmarrë veprime, nuk më kanë njoftuar menjëherë sepse ka qenë natë, çfarë veprime kanë marrë nuk më kanë njoftuar”, tha Dema.

Dema tha që policët e angazhuar atë natë, nuk i kanë dërguar ndonjë raport për atë se çfarë kanë parë në këto fshatra, por vetëm i kanë thënë që ‘gjithçka është në rregull’.

“Unë personalisht e kam thirrur kujdestarin, për me dërgu patrullë për me shiku gjendjen. Nuk më kanë dërguar raport, më kanë shkru që gjithçka ka qenë në rregull, edhe unë ashtu e kam lënë që gjithçka ka qenë në rregull”, tha ai.

Zgjedhjet lokale në Kosovë janë mbajtur më 17 tetor. Ditë më parë, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte anuluar të gjitha votat për kryetar të Komunës së Hanit të Elezit.

Këtë vendim PZAP e kishte marrë pas ankesës së kryetarit aktual, kandidatit të pavarur Rufki Suma.

Në arsyetimin e PZAP-së thuhet se zgjedhjet janë anuluar “për shkak të minimit të integritetit të zgjedhjeve si rezultat i presionit dhe organizimit me qëllim të përfitimit të mbështetjes së votuesve”.

Ndërsa sot, Gjykata Supreme e Kosovës e ka kthyer në rivendosje vendimin e PZAP-së i cili katër ditë më parë i kishte anuluar zgjedhjet në Han të Elezit.

Supremja ka kërkuar nga PZAP-ja që të vendosë edhe një herë në lidhje më këto ankesa.