MASHTI tregon se kur prindërit do t’i marrin paratë për libra

Prindërit që kanë aplikuar subvencionim për tekste dhe materiale shkollore për fëmijët e tyre, pritet t’i marrin paratë në llogari para datës 1 shtator.

Kështu njoftoi sot Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, përmes një postimi në Facebook.

Siç thotë ajo, tashmë kanë pranuar rreth 80 mijë aplikime në portalin E-Kosova, në platformën që do të jetë e hapur deri në fund të shtatorit.

Nagavci bashkë me zëvendësministrin, Taulant Kelmendi dhe drejtorë të departamenteve të Ministrisë kanë diskutuar sot me drejtorët komunalë të arsimit rreth përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor 2023/24.

“Lidhur me një nga sfidat kryesore në të cilën kanë hasur prindërit -aplikimi online për fëmijët që mbushin 6 vjeç pas 1 shtatorit, i sigurova se këto dhe të tjera ankesa po trajtohen me seriozitet dhe përkushtim nga ekipet mobile” – ka shkruar Arbërie Nagavci.

Ministrja Nagavci ka shtuar se pjesëmarrësit i ka njoftuar se komunat tashmë janë informuar që shkollat mund të bëjnë përzgjedhjen e titujve të teksteve, të cilat mësuesit duhet t’i ndajnë me prindërit para fillimit të procesit mësimor.

Sipas saj, shtëpitë botuese kanë konstatuar se ka tekste të mjaftueshme dhe nuk do të ketë probleme me furnizimin e librarive.

Në takim është diskutuar edhe për fillimin e mësimit dual në 8 profile të reja, për Udhëzimet Administrative të ndryshuara dhe plotësuara, dhe çështje të tjera lidhur me fillimin e vitit të ri shkollor.

Arbërie Nagavci ka kërkuar bashkëpunimin e shkollave, mësimdhënësve, prindërve dhe DKA-ve që alokimi i fondeve të bëhet me sukses.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci më 21 gusht ka mbajtur një konferencë për media ku ka treguar se po e shqyrtojnë mundësinë që paratë për blerjen e librave për vitin e ri shkollor t’ua transferojnë drejtpërdrejt prindërve përmes platformës e-Kosova me qëllim të rritjes së transparencës për shpenzimin e parasë publike.

Zëvendësministri Kelmendi e kishte quajtur të papërballueshme situatën për blerjen e librave shkollorë për nxënësit nga Ministria e Arsimit, për shkak se çmimet e ofruara nga shtëpitë botuese kanë qenë tejet të larta.

“Kemi raste kur një libër kalon shifrën 25 euro. Apo kur libri “shoqëria e punës” bashkë me fletoren e punës e klasës së tretë kap shifrën 27 euro. Kjo situatë është e papërballueshme”- kishte thënë Kelmendi në konferencën për media.

Viti i ri shkollor fillon të premten, më 1 shtator.