MAShT me vonesë furnizon diasporën me libra

Me disa muaj vonesë Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka planifikuar që të furnizojë me tekste shkollore diasporën.

Edhe pse Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, në prill të vitit 2019 ka bërë planin për botimin e librave për mësimin plotësues në diasporë dhe i është përcjellur MAShT-it,  diaspora deri në fund të nëntorit ka qenë pa libra.

Nga kjo ministri në nëntor të vitit që e lamë pas kishin thënë për KALLXO.com se në prill të vitit 2019 kishin bërë kërkesë në MAShT për këto libra dhe kanë kërkuar nga ta që të botohen më së largu në gusht por se nuk ishte realizuar një gjë e tillë.

Por, me 3 dhjetor 2019, MAShT ka bërë të ditur se tenderin për furnzimim me tekste shkollore për nxënësit e diasporës ia ka dhënë shtëpisë botuese “Dukagjini”.

Data e hapjes së tenderit ka qenë me 22 nëntor të vitit që e lamë pas dhe vlera e parashkruar e kontratës është 42 mijë e 224 euro dhe kohëzgjatja e saj është 12 muaj.

Ky tender është financuar nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës dhe si kriter i dhënies ka qenë çmimi më i ulët.

Lloji i procedurës të kësaj kontrate sipas dosjes së tenderit ka qenë procedurë e negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës.

Librat të cilat janë kërkuar nga MAShT për diasporën janë 19 dhe në to përfshihen: Kulturë Shqiptare , Letërsi Shqiptare . Unë dhe të Tjerët,  Libri i Gjuhës , Një botë për të gjithë, Paraabetare , Puna dhe koha e lirë ,Gjuha Shqipe 2 dhe 3, Shqiptarët, historia dhe trojet etj.

KALLXO.com me 14 nëntor kishte raportuar se diaspora kishte mbetur këtë vit shkollor pa libra.

KALLXO.com kishte kontaktuar Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për të marrë sqarime se pse nuk janë botuar tekstet për mësimin plotësues në Diasporë, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Në anën tjetër, Ligji Nr. 04/ L – 095 për Diasporën dhe Mërgatën është ligji bazë i cili rregullon ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar, gjuhësor, kulturor e arsimor të pjesëtarëve të diasporës dhe mërgatës, dhe lidhshmërinë e tyre me institucionet e Republikës së Kosovës.

Po ashtu, për të promovuar mësimin plotësues në gjuhën shqipe, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) ka hartuar Kurrikulën e Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues në Diasporë, e cila i dedikohet fëmijëve dhe të rinjve (nxënësve) shqiptarë të cilët jetojnë jashtë atdheut.

‘Kësulëkuqja’ bëhet ‘Borëbardha’ në tekstin e ri të Gjuhës Shqipe