Skandaloze: Qeveria e Ramush Haradinajt lë diasporën pa libra

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë këtë vit i ka lënë pa libra nxënësit shqiptar në diasporë.

Edhe pse Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, e ka bërë me kohë kërkesën për botimine tyre, MAShT-i ende nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, Qëndresa Fazliu zëdhënësja për informim në këtë ministri, e cila ka shtuar se ata e kanë bërë kërkesën në prill dhe kanë kërkuar nga MAShT që të botohen më së largu në gusht.

 “Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, në bashkëpunim me zyrtarin përgjegjës për mësimin plotësues në MASHT, në prill të këtij viti ka bërë planin për botimin e librave për mësimin plotësues në diasporë, të cilin kolegu nga MASHT-i ua ka përcjellë për botim autoriteteve të MASHT-it”, tha Fazliu.

“Kërkesa jonë ishte (si edhe herëve të tjera) që librat të dalin nga shtypi në qershor ose më së voni në fillim të gushtit, në mënyrë që të nisen për shpërndarje para fillimit të vitit”, ka shtuar ajo.

Fazliu thotë se MAShT-i nuk ka dhënë ndonjë arsyetim pse librat nuk janë botuar dhe nuk e dinë se kur do të ndodhë një gjë e tillë.

“Javën e kaluar jemi njoftuar nga zyrtari përgjegjës i  MASHT-it  për mësimin plotësues në diasporë se ai ka bërë trysni te autoritetet e kësaj ministrie që të përshpejtohet  botimi i librave.  Kemi pritur që me 5 ose 6 nëntor librat të dalin nga shtypi, të na dorëzohen në  MDIS, që sa më parë t’i nisim në destinacion. Mirëpo, nga kontakti telefonik që patëm sot (6 nëntor) në MASHT, shtypja e librave as sot nuk ka filluar”, ka thënë zëdhënësja për informim e Ministrisë së Diasporës për KALLXO.com.

Tutje ajo ka thënë se mungesa e abetareve është bërë një problem për mësimdhënësit e diasporës.

“Nga mësuesit e diasporës jemi njoftuar se, duke pasur parasysh se kanë qenë mirë të pajisur me libra shkollorë, nuk është theksuar në shkallë të lartë mungesa e teksteve, pasi po i shfrytëzojnë disi ato tekste të vjetra. Mirëpo, mungesa e abetareve i ka lënë shumë keq, sado që abetarja nuk është tekst bazë, por tekst alternative”, tha Fazliu.

Sipas saj, Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike nga janari deri në shtator të këtij viti, ka dërguar mbi 3200 libra dhe njësi të tjera mësimore për mësimin plotësues në diasporë, si në Itali, Gjermani, Greqi, Zvicër, Danimarkë, Kroaci, Slloveni, Australi, Zelandë e Re dhe Bullgari.

“Këta libra janë dërguar sipas kërkesave specifike që kanë bërë mësues të veçantë, shoqata të mësuesve ose përfaqësuesit tanë diplomatikë.  Njëkohësisht nga informacionet që kemi, sasi të librave nga viti i kaluar kanë ngelur në stoqet e disa konsullatave tona, si në Gjermani, në Austri  në Kroaci, në Belgjikë, në Qendrën Kulturore të Kosovës në Suedi dhe te mësuesi koordinator i mësimit plotësues shqip në Finlandë”, ka shtuar Fazliu.

KALLXO.com ka kontaktuar Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për të marrë sqarime se pse nuk janë botuar tekstet për mësimin plotësues në Diasporë, por se nuk kanë kthyer përgjigje.

Në anën tjetër, Ligji Nr. 04/ L – 095 për Diasporën dhe Mërgatën është ligji bazë i cili rregullon ruajtjen dhe kultivimin e identitetit kombëtar, gjuhësor, kulturor e arsimor të pjesëtarëve të diasporës dhe mërgatës, dhe lidhshmërinë e tyre me institucionet e Republikës së Kosovës.

Në këtë aspekt, ky ligj parasheh themelimin e Qendrës Kulturore të Kosovës për Diasporën dhe Mërgatën (QKKDM) me qëllim të ruajtjes dhe kultivimit të identitetit kombëtar, gjuhësor, kulturor e arsimor të mërgimtarëve dhe të forcojë lidhshmërinë e tyre me institucionet e Republikës së Kosovës. Ndër përgjegjësitë kryesore të QKKDM-së është të nxisë dhe zhvillojë njohuri për gjuhët.

Më tutje sipas ligjit, Ministria përkatëse për diasporë ka për detyrë që të ndihmojë në krijimin e kushteve për ruajtjen dhe mësimin e gjuhëve zyrtare të Republikës së Kosovës dhe në gjuhët e komuniteteve tjera në të cilat zhvillohet sistemi arsimor në Kosovë. Ministria për realizimin e procesit arsimor, duhet t’i bashkërenditë dhe koordinojë punët me vendet e rajonit me interesa të përbashkëta.

Për sa i përket pikës së fundit, në janar të vitit 2018, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ajo e Republikës së Shqipërisë kanë nënshkruar një Marrëveshje për Bashkëpunim në Fushën e Diasporës. Ndër pikat kyçe të bashkëpunimit është edhe fusha e mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët e mërgatës shqiptare, përfshirë mbështetja e aktiviteteve kulturore-artistike për promovimin e kulturës shqiptare, forcimi i identitetit kombëtar në vendet pritëse, si dhe hapja e një qendre botuese për librat në gjuhën shqipe të cilat dërgohen për përdorim në shkolla në diasporë.

Në anën tjetër, për të promovuar mësimin plotësues në gjuhën shqipe, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) ka hartuar Kurrikulën e Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues në Diasporë, e cila i dedikohet fëmijëve dhe të rinjve (nxënësve) shqiptarë të cilët jetojnë jashtë atdheut.

Ky dokument është pjesë e synimit të përhershëm për vetëdijesimin e vazhdueshëm të brezave të rinj për gjuhën dhe kulturën e origjinës, si përparësi dhe veçanti e identitetit të tyre personal e kolektiv kombëtar, në njërën anë, dhe si mbështetje e bazë e mirë për integrimin e tyre në shoqërinë ku jetojnë, në anën tjetër.

KALLXO.com po ashtu kishte raportuar se në tekstet e reja të botuara nga MAShT këtë vit, ka pasur gabime.

‘Kësulëkuqja’ bëhet ‘Borëbardha’ në tekstin e ri të Gjuhës Shqipe

 

 

Në qershor ishte publikuar lista përfundimtare me emrat e shtëpive botuese dhe autorëve, të cilët kanë përgatitur tekstet për klasat 1, 2, 6, 7, 10 dhe 11.

Sipas kësaj liste librat e nxënësve janë përgatitur nga shtëpitë botuese “Dukagjini”, “Albas” dhe “Pegi”.

Në lidhje me këto tekste, nga Këshilli i Ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore, (KEPTSh) kishin dhënë dorëheqje disa anëtarë të saj, pasi sipas tyre ka pasur shkelje në procesin e teksteve të reja shkollore.

Ndërsa instituti EdGuard kishte thënë se në tekstet e reja shkollore nuk ka ndonjë përmirësim substancial dhe ka tekste që janë shumë të përsëritura.

Për këtë çështje kishte raportuar edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi në Komisionin për Arsim.

I gjithë procesi i vlerësimit të këtyre teksteve shkollore sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit ka kushtuar mbi 74 mijë euro, ku në këtë shumë nuk janë përfshirë pagesat e recensentëve.

Në këtë proces të teksteve të reja shkollore nuk janë përfshirë Abetarja dhe librat e gjuhëve të huaja, sepse sipas MAShT-it çdo ndryshim që merret vendim të bëhet për Abetaren duhet të bëhet në pajtim me Ministrinë e Arsimit në Shqipëri.

Kurrikula e re shkollore ka hyrë në fuqi në vitin 2017, ndërsa shkollat kanë vazhduar të punojnë me tekste të vjetra shkollore ndaj të cilave ka pasur kritika edhe nga shoqëria civile edhe nga vetë institucionet.

Në vitin 2017, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut identifikoi mbi 100 raste të  gjuhës diskriminuese në tekste shkollore.

Sipas analizës së teksteve shkollore të nivelit të mesëm të lartë në Kosovë të realizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) ishin gjetur mbi 100 formulime që përmbajnë gjuhë diskriminuese e përjashtuese.