Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Masat e reja të Qeverisë së Kosovës për parandalimin e COVID-19

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia pas mbledhjes së qeverisë i është drejtuar mediave për të bërë të ditura masat e reja të cilat do të ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19.

Mbledhja e qeverisë u mbajt pak pasi u bënë publike shifrat e fundit të infektimeve me COVID-19 në Kosovë, pra për 24 orët e fundit janë shënuar 1,009 raste të reja.

Ministri Vitia tha në konferencë se 80 për qind e rasteve të reja janë me variantin ‘Delta’, i cili shpërndahet me lehtë dhe më shpejtë mes njerëzve.

Masat e reja sipas ministrit Vitia do të fillojnë nga data 20 gusht.

“Nga data 20 gusht e deri më 10 shtator,  hyrja në ambientet e klubeve të natës, diskotekave dhe ambienteve ku mbahen ahengjet familjare e të ngjashme, tubimet masive, festivalet të cilat kanë kapacitet mbi 100 persona,  do të lejohet vetëm me certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një dozë të vaksinës kundër COVID-19; Testi RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë; Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të  antitrupave serologjik –IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve; Test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë”, tha Vitia.

Tutje ai shtoi edhe se nga data 20 gusht deri më 10 shtator një nga dëshmitë më lartë duhet të posedohen nga gjithë punëtorët të cilët janë në kontakt të drejtpërdrejt me klientët. Personat përgjegjës të bizneseve apo aktiviteteve të cekura janë të detyruara që të kontrollojnë dëshmitë e kërkuara.

“Në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe inspektoratet, do të rritet ndjeshëm mbikëqyrja dhe kërkoj në këtë rast kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve qoftë edhe me raportimin e tyre sepse në këtë betejë së COVID-19”, tha Vitia.

Ai shtoi edhe se maska është e obligueshme sidomos në institucione publike.

“Ndalohet hyrja e personave pa maska si dhe obligohet bartja e tyre gjithë kohën brenda hapësirave të përbashkëta”, tha Vitia.

Gjithashtu në njoftimin për masat e reja, thuhet se lokalet e natës do të fillojnë punën nga ora 23 deri në orën 3 të mëngjesit. Gjithashtu parashihet se nga ora 3 deri në orën 3 e 15 të kryhet pagesa dhe lirimi i hapësirës së klubeve të natës nga ana e klientëve.

Gjithashtu në ambientet e mbyllura të klubeve të natë, lejohet shfrytëzimi deri në 50 përqind të kapacitit të hapësirë.

Pika 22 e vendimit të qeverisë thotë se në ambientet e hapura të klibeve të natës mund të bëhet shfrytëzimi deri në 70përqind I kapacitetit të hapësirës.