Maqedonia e Veriut regjistron 14 viktima me koronavirus

Maqedonia e Veriut ka regjistruar të dielën 14 persona të vdekur me koronavirusin, që shkakton sëmundjen COVID-19.

Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, viktimat janë: Shkup (4), Tetovë (4), Gostivar (3) dhe nga një viktimë në Kumanovë, Ohër dhe Vinicë.

Nga testimi i 6,591 mostrave janë regjistruar edhe 882 raste të infektimit.

Instituti i Shëndetit Publik ka njoftuar se më 22 gusht janë shëruar 263 pacientë nga sëmundja COVID-19, derisa raste aktive janë 19,695.

Gjendje më e rëndë po mbretëron në pjesën perëndimore të vendit, ku ka edhe numër më të madh të personave në gjendje të rëndë.

Në spitalin e Tetovës janë të shtruar 120 persona, në atë Strugës 110 ndërsa në spitalin e Gostivarit 70.

Në gjithë vendin janë hospitalizuar 860 persona.

Sipas të dhënëve të Ministrisë së Shëndetësisë, numri më i madh i të infektuarve dhe i viktimave janë persona të pavaksinuar.

Sipas të dhënave zyrtare numri i të vaksinuarve ka arritur në rreth 652 mijë.

“Qytetarët duhet ta dinë se derisa të vaksinohemi të gjithë, kjo nuk do të ndalet”, ka deklaruar Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe.

“Sa më shpejt duhet të rritet niveli i vaksinimit dhe imuniteti kolektiv, sepse imuniteti i vaksinës është i përhershëm dhe ne do të parandalojmë valët e ardhshme të virusit. Ne duhet ta ndalojmë përhapjen e virusit, sepse nuk mund të përballemi përsëri me valë të rënda”, ka theksuar Filipçe.

Për rritjen e numrit të të infektuarve, opozita maqedonase ka fajësuar Ministrinë e Shëndetësisë.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski ka kërkuar “përgjegjësi për menaxhimin dhe vlerësimin, siç ka thënë ai, të dobët të situatës si dhe mosrespektimin e mendimit të ekspertëve./REL