LVV në Lipjan kërkon që Prokuroria të hetoj edhe kryetarin Ahmeti për çështjen e stadiumit në Magure

Nëntë zyrtarë në Komunën e Lipjani janë arrestuar gjatë ditës së djeshme nën dyshimin se kanë kryer tri vepra të ndryshme penale.

Sipas Prokurorisë, të arrestuarit në cilësinë e personave zyrtarë, si anëtarë të Komisionit teknik kanë bërë pranimin e punimeve të stadiumit futbollistik në fshatin Magure të Lipjanit, kinse janë kryer punimet sipas kontratës së fituar nga një kompani.

Ata po dyshohen për “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurorim publik” dhe “mashtrim”.

Për këtë çështje, partia opozitare Lëvizja Vetëvendosje në Lipjan ka mbajtur gjatë ditës një konferencë për media.

Shefi i opozitës në Lipjan, asamblisti nga radhët e LVV-së, Alban Salihu ka thënë se ftojnë prokurorinë që t’i zgjerojnë hetimet, e po ashtu kanë ftuar Policinë e Kosovës që të hetojnë edhe kontrata tjera.

“Me ditën e djeshme kanë rënë maskat. Fytyra e vërtetë e Imri Ahmetit si një përfitues personal përmes personave të tretë doli në sipërfaqe. Ne ftojmë prokurorinë të zgjerojë hetimet, kurse policinë e krimeve ekonomike ftojmë të hetoj edhe shumë kontrata të tjera po kaq abuzive nëse jo më shumë se sa rasti i stadiumit të Magurës” – ka thënë Salihu.

Ai tutje ka shtuar se kryetari Ahmeti nuk mundet, sipas tij, të struket e as të kamuflojë skandalin e keqpërdorimit të qindra mijëra eurove.

“Ky rast duhet të shërbej si momenti kur fillojnë të dalin keqpërdorimet tjera të tij. Përkundër diktatit që ushtron Imri Ahmeti ndaj zyrtarëve komunalë, ne inkurajojmë të gjithë që të bashkëpunojnë me autoritet në dhënien e informacioneve që zbardhin të vërtetën e këtyre keqpërdorimeve” – ka thënë tutje shefi i opozitës.

Edhe asambleistja Shahadije Bikliqi ka folur për këtë rast. Kërkesa e saj në drejtim të Prokurorisë ka qenë që hetimet e tyre t’i zgjerojë edhe tek vet Kryetari Ahmeti, për të cilin Bikliqi pretendon se është i përfshirë direkt.

“Duke qenë se dihet botërisht që Imri Ahmeti kontrollon gjithçka që ndodhë në komunë, madje edhe çështjet për të cilat nuk ka kompetencë, bëhet e qartë se edhe në rastin e keqpërdorimit të projektit të stadiumit të Magurës, Imri Ahmeti është i përfshirë direkt” – është shprehur ajo.

Tutje Bikliqi ka thënë se komuna përmes reagimit që ka pasur për këtë rast ka arsyetuar zyrtarët e arrestuar.

“Në sqarim kërkohet që të mos ndërhyhet në punën e organeve të drejtësisë ndërsa vetë komuna i justifikon zyrtarët e vetë” – ka thënë ajo.

E njëjta ka paralajmëruar se ditëve e javëve në vijim LVV si subjekt politik e si asamblist do të prezantojnë edhe kontrata të tjera në të cilat keqpërdorimet janë thelbi i tyre.

Dje Komuna e Lipjanit pati një reagim ku kanë thënë se “nuk duan të interferojmë në punën e organeve të drejtësisë as të paragjykojmë epilogun”.

Ata madje kanë thënë se për këtë rast zyrtarisht asnjë informatë si institucion i komunës dhe si kryetar i komunës nuk e kanë.

“Konsiderojmë dhe deklarojmë për qytetarët lipjanas dhe opinionin se absolutisht, nuk duam të interferojmë në punën e organeve të drejtësisë as të paragjykojmë epilogun por ju informojmë së nëse është fjala për stadiumin në Magure, të gjitha kontratat janë publike që nga koha kur janë nënshkruar dhe janë në ëebsajtin e komunës” – thuhet në publikimin e komunës në Facebook. 

Përderisa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dega në Lipjan gjatë ditës kërkoi edhe dorëheqjen e kryetarit Ahmeti, me qëllim që sipas tyre që t’i hapë rrugë hetimeve.

Arrestimet e zyrtarëve komunalë, PDK në Lipjan kërkon dorëheqjen e Imri Ahmetit