Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Arrestimet e zyrtarëve komunalë, PDK në Lipjan kërkon dorëheqjen e Imri Ahmetit

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dega në Lipjan, ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të komunës, Imri Ahmeti.

Përmes një komunikate për media, PDK e ka ndërlidhur kërkesën për dorëheqje, me arrestimin e djeshëm të 9 zyrtarëve komunalë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

PDK-ja ka thënë se kryetari Ahmeti duhet të jap dorëheqje, që t’i hapë rrugë hetimeve.

Sipas PDK-së, Krimet Ekonomike duhet të hetojnë edhe në parregullësi të tjera në komunën e Lipjanit.

“Duke nisur nga fakti se gjetjet e Auditorit të Përgjithshëm alarmonin për shumë parregullësi në këtë komunë, si: pagesa nga kategoria ekonomike joadekuate, zhvillim të procedurave të prokurimit jashtë planifikimit, dobësi gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit, mungesë dëshmishë për arsyetimin e shpenzimeve nga përfituesit e subvencioneve, mungesë të planit për subvencione, sigurim jo valid i ekzekutimit, vonesa në realizimin e punimeve, shpenzim i ulët i buxhetit të kapitaleve” – thuhet në komunikatë.

Tutje, PDK-ja ka pretenduar se disa prej zyrtarëve të arrestuar dje, kanë krijuar një zinxhir të korrupsionit, sipas tyre, për dhënien e lejeve ndërtimore.

“Ata bëjnë projektimet e objekteve ndërtimore, mbikëqyrjen, pranimin dhe legalizimin e tyre. Dhe nëse këta zyrtarë nuk e bëjnë projektimin, askush nuk mund të marrë leje ndërtimore në Komunën e Lipjanit” – thuhet në reagimin e PDK-së.

PDK-ja ka konsideruar se dorëheqja e Imri Ahmetit duhet të jetë para se gjithash, sipas tyre, obligim moral para qytetarëve të Lipjanit.

Dje Prokuroria ka njoftuar se janë arrestuar 9 zyrtarë në komunën e Lipjanit.

Ata po dyshohen se në cilësinë e personave zyrtarë, si anëtarë të Komisionit teknik kanë bërë pranimin e punimeve të stadiumit futbollistik në fshatin Magure të Lipjanit, kinse janë kryer punimet sipas kontratës së fituar nga një kompani.

Ndërkaq në një reagim, Komuna e Lipjanit të hënën ka thënë se “nuk duan të interferojmë në punën e organeve të drejtësisë as të paragjykojmë epilogun.

“Duke përcjellë mediat dhe portalet, ndonëse zyrtarisht asnjë informatë si institucion i komunës dhe si kryetar i komunës nuk e kemi, konsiderojmë dhe deklarojmë për qytetarët lipjanas dhe opinionin se apsolutisht, nuk duam të interferojmë në punën e organeve të drejtësisë as të paragjykojmë epilogun por ju informojmë së nëse është fjala për stadiumin në Magure, të gjitha kontratat janë publike që nga koha kur janë nënshkruar dhe janë në websajtin e komunës.
Duke ndjekur shkrime me shumë të pavërteta rreth shumës së mjeteve të përmendura, ju inkurajojmë vlerat në kontrata dhe specifikat tjera lehtë mund ti verifikoni në websajtin e komunës”- thuhet mes tjerash në publikimin e komunës në Facebook. 

Arrestohen 9 zyrtarë në Lipjan