Lushtaku: Një kryeministër që nuk e rrit fëmijën në Kosovë, nuk ka ndjenjë të përgjegjësisë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku ka deklaruar se partia ne pushtet po shkel Kushtetutën duke mos u përgjigjur në pyetjet parlamentare dhe duke u vënë kusht që të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.

Sipas tij, kryeministri i cili fëmijën nuk e rrit në Kosovë, nuk e ka as ndjesinë e përgjegjësisë.

“Shihet qartë se po shkelet Kushtetuta dhe formalisht vijnë kinse po përgjigjen e kinse punojnë. Po duhet marrë përgjegjësinë edhe për qytetarët tjerë, mbi 49%, që nuk kanë votuar për ju”- u shpreh ai.

“Një kryeministër si Albin Kurti që fëmijët e vet i rrit jashtë Kosovës nuk e ka ndjeshmërinë e përgjegjësisë. E kuptoj për secilin deputet që të kenë familje jashtë vendit, por jo Presidenti e Kryeministri apo Kryeparlamentari, sepse kjo tregon papërgjegjshmëri të madhe ndaj besimit që e ka marr prej qytetarëve” – shtoi tutje ai.

Sipas tij,  Kuvendi është bërë cirk si pasojë e idesë rrugaçe që përfaqëson Kurti me partinë e vet.

“Ju i konsideroni si qytetarë të rendit të dytë ata që nuk ju kanë votuar. Ata kanë mendësi të tillë që është shkatërruese për Kosovën”- shtoi ai.

Deputeti Lushtaku tutje shtoi se këtë vit vetëm 15% e buxhetit është implemtuar.

“Kaq e keni edhe suksesin, vetëm 15%”- shtoi ai.

Sipas tij, ministri dhe zv.ministri i MMPHI-se më shumë shtyhen për tenderë e kapen me karrige.

“Duket që nuk po pajtohen dhe pastaj mungon implementimi i projekteve”- tha ai.

Ministri i MMPHI-së, Liburn Aliu kërkoi nga Lushtaku që ai dhe partia e tij të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare në mënyrë që të ecet para me implementim të projekteve.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në seancën e sotme plenare ku në rend dite ishin pyetjet parlamentare deklaroi se nuk do përgjigjet në pyetje të deputetëve derisa të votohen marrëveshjet ndërkombëtare.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu këtë gjë e konsideroi se diktaturë e shantazh nga ana e qeverisë.

Kurti: Nuk përgjigjem në pyetje parlamentare pasi nuk po i votoni marrëveshjet ndërkombëtare