Konjufca ia prezanton zv.kryeministrit të Luksemburgut sistemin e ri elektronik të votimit në Kuvend
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, dhe zëvendëskryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel, gjatë takimit më 04.11.2024, kanë parë nga afër ambientet e sallës plenare me ndryshimet e reja, sidomos sistemin modern të votimit elektronik, që u mundësua si donacion nga Luksemburgu.
Sipas njoftimit, Konjufca e falënderoi Xavier Bettel për këtë projekt, që sipas kryekuvendarit sjell një ndryshim me ndikim tejet pozitiv në rritje të efikasitetit, transparencës dhe funksionalitetit gjatë zhvillimit të seancave plenare dhe parlamentarizmit në përgjithësi në vend.
“Bettel e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen, duke u shprehur shumë i kënaqur që ky projekt i financuar nga Luksemburgu është realizuar me sukses dhe ka sjellë përmirësim të ndjeshëm në mbarëvajtjen e seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ai rikonfirmoi mbështetjen e Luksemburgut në drejtim të Kosovës, duke shprehur gatishmërinë dhe duke theksuar nevojën e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit”- thuhet në njoftim.
Po ashtu, duke e falënderuar për vizitën, Konjufca tha se Kosova është gjithmonë e angazhuar për thellimin e bashkëpunimit me një vend partner si Luksemburgu, mbështetja dhe kontributi i të cilit, sipas tij, ka qenë gjithmonë i pranishëm në drejtim të vendit tonë.
Kuvendi i Kosovës ka nisur sesionin vjeshtor me pajisje të reja teknologjike më 12.09.2024.
Pas shumë kohësh, deputetët kanë votuar në mënyrë elektronike për pjesëmarrje në seancë.
Për tri vjet, sistemi elektronik në Parlament ka qenë jashtë funksionit, prandaj deputetët kanë votuar me ngritje dore.
Për shkak të kësaj, Kuvendi i Kosovës nuk i ka të arkivuara votat e deputetëve dhe disa herë ka pasur diskutime rreth numrit të votave.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca në emisionin “Kallxo Përnime”, më 15.09.2024 kishte thënë se sistemi është afër rregullimit përmes donacionit nga një shtet tjetër.