Luftë e zbehtë ndaj dezinformatave për vaksinimin në Kosovë

Arianit Sllamnikut nga Gjilani ka disa ditë që i është mbyllur llogaria e tij në Facebook, si pasojë e postimeve të shpeshta kundër vaksinimit për koronavirus.

Ai ka dyshime te vaksinat e zhvilluara kundër COVID-19, dhe për këtë arsye askush nga familja e tij nuk është vaksinuar.

Interneti është burimi kryesor i informimit për Sllamnikun. Ky ligjërues i gjuhës gjermane në një shkollë private thotë se janë pikërisht rrjetet sociale ku është informuar më së shumti rreth vaksinimit.

“Unë dhe familja ime jemi kundër vaksinimit, veçmas këtij vaksinimit me detyrim që po ndodh tani, sepse mbi të gjitha nuk kemi një fazë përfundimtare (v.j. për efikasitetin e vaksinës)”, thotë Sllamniku.

Në Kosovë, vaksinimi kundër COVID-19 është vullnetar, por sipas masave në fuqi kundër koronavirusit, qytetarët duhet të dëshmojnë që janë të vaksinuar ose që kanë rezultuar negativ në test për koronavirus nëse punojnë, hyjnë në restorante dhe bare (vende të mbyllura), ose gjatë udhëtimit.

Njëjtë si Sllaminku janë edhe disa qytetarë të tjerë të Kosovës, me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, e që refuzojnë të vaksinohen dhe dyshojnë në ekzistencën e koronavirusit.

Edhe Blerim Uruqi nga fshati Bresalc i Gjilanit dhe Gëzim Gashi nga Istogu thonë për Radion Evropa e Lirë se informacionet për COVID-19 i marrin kryesisht në Facebook.

Që nga fillimi i pandemisë, më shumë se 5 milionë persona e kanë humbur jetën nga COVID-19 në të gjithë botën. Në Kosovë, deri më 31 tetor, kanë vdekur 2,977 persona.

Mbi 1 milion përdorues të Facebook-ut në Kosovë

Në Kosovë janë mbi 1 milion përdorues të rrjeteve sociale Facebook dhe Instagram.

Eksperti i rrjeteve sociale në Kosovë, Valon Kerolli, thotë për Radion Evropa e Lirë se pikërisht Facebook-u është rrjeti social më i përdorur nga qytetarët për t’u informuar.

“Deri vitin e kaluar Facebook-u i ka lejuar postimet kundër vaksinës. Tash Facebook-u u ka ‘shpallur luftë’ këtyre njerëzve dhe faqeve, por problemi kryesor te ne është për shkak të gjuhës shqipe. Facebook-u funksionon me inteligjencë artificiale dhe gjuha shqipe është pak më e komplikuar dhe mund t’i ikin postimet kundër vaksinës”, shpjegon Kerolli.

Ai mendon se në Kosovë duhet të ekzistojnë fact-checkers (ata që i vërtetojnë informacionet) që në bashkëpunim me Facebook-un, do të mund të luftonin lajmet e rreme në rrjetet sociale.

“Kryesisht, luftën e bën vetë Facebook-u sepse nuk është që ka bërë ndonjë kampanjë qeveria jonë kundër lajmeve të rreme. Pastaj është një problem tjetër që në Kosovë ka filluar të përdoret shumë rrjeti social Tik-Tok. Nëse lexohen komentet, shumica e njerëzve që kanë vendosur të mos vaksinohen, janë ndikuar nga Tik-Toku, dhe janë disa persona që bëjnë propagandë kundër vaksinës”, thekson Kerolli.

Në një raport të publikuar në qershor të këtij viti, Facebook ka bërë të ditur se gjatë pandemisë ka fshirë 18 milionë postime kundër vaksinës. Në Tik-Tok zakonisht publikohen video-xhirimet.

Pse qytetarët u besojnë lajmeve të rreme?

Dren Gërguri, ligjërues në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, që nga fillimi i pandemisë, ka përcjellë përhapjen e informacioneve të rreme për COVID-19.

Ai thekson për Radion Evropa e Lirë se mendimi kritik është me rëndësi të madhe kur flitet për informacione nga rrjetet sociale. Gërguri thotë se qytetarët duhet të përgatiten në kuptimin e njohurive rreth mediave dhe t’i identifikojnë burimet që janë kredibile./REL.