Foto: REL/AFP

‘Loja’ pritet të ndryshojë me ShBA-në në tavolinën e bisedimeve Kosovë - Serbi

Për herë të parë që prej fillimit të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, do të ketë përfshirje direke edhe me prani fizike të deleguarve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në takimin e nesërm mes shefit të ekipit negociator të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, do të marr pjesë edhe zëvendësndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar.

Detaje për këtë takim, nuk janë dhënë as nga Qeveria e Kosovës e as nga Bashkimi Evropian, por ky takim do mbahet pikërisht në ditën e dhjetë të protestave të qytetarëve serb të Kosovës, në Bërnjak e Jarinjë, të cilët po kundërshtojnë reciprocitetin për targat mes dy vendeve të vendosur nga Qeveria e Kosovës.

Sipas vendimit, veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës. Shoferët të cilët kanë automjete me targa të lëshuara nga Serbia, me të hyrë në Kosovë duhet të paguajnë pesë euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.

Për njohësit e çështjeve politike në vend, vendosja e reciprocitetit si dhe përfshirja e direkte e SHBA-ve do ta dinamizoj dialogun i cili ka filluar para një dekade në Bruksel.

Prania amerikane është pushtet në vete

Analisti politike, Artan Muhaxhiri në një prononcim për KALLXO.com ka vlerësuar se pjesëmarrja e përfaqësuesit të Departamentit të Shtetit në takimin e nesërm ka simbolikë të shumëfishtë.

“Përveç që e dëshmon rinovimin e angazhimit më të fuqizuar të SHBA-ve në ecurinë e procesit të dialogut, drejtpërdrejt ndikon te të gjithë akterët: BE-në, Kosovën dhe Serbinë, në forma dhe nivele të ndryshme. Prania amerikane është pushtet në vete, me shumë relacione komplekse ndaj pushteteve tjera që do të gjenden aty pari”, tha ai.

Muhaxhiri ka përmendur dallimet në qasjen e administratës së ish presidentit amerikan Donald Trump dhe të tashmit Joe Biden, duke theksuar se SHBA-të kanë interesa të mëdha gjeostrategjike në Ballkan.

“Administrata e Presidentit Biden synon që të rifaktorizohet në mënyrë graduale, për dallim nga administrata e ish Presidentit Trump, e cila funksiononte me metodologji më të bëfshme. Rajonet e veçanta – si Ballkani, imponojnë sfidime të vazhdueshme të pozicionimeve politike. Kjo është një ndër arsyet që politika amerikane do të ketë interes të përhershëm për aktivitet dhe prezencë në këtë hapësirë”, tha ai.

Sipas Muhaxhirit, marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë ngjarje historike, arritja e së cilës kërkon angazhime të shumta e të gjithanshme, me balanca, presione dhe kërkesa nga të gjitha palët.

“Pushtetet e jashtëzakonshme globale të SHBA-ve, politike dhe ekonomike, luajnë rol të madh në dinamikën e dialogut. Është e nënkuptueshme që shkalla e vullnetit amerikan për involvim do të jetë një nga përcaktueset më të rëndësishme të zhvillimeve të ardhshme”, ka thënë ai.

Momentum i ri për dialogun e vjetër

Sipas analistit Imer Mushkolaj, përfshirja direkte e SHBA-ve, është bërë në momentin e duhur, pasi ai vlerëson se dialogu i deritanishëm i ndërmjetësuar nga BE-ja, ka qenë i dobët dhe pa ndikim.

“ShBA-ja ka qenë e pranishme më shumë si vëzhguese, por jo me ndonjë rol vendimtar. Për BE-në ka qenë e rëndësishme që palët t’i nënshkruajnë marrëveshjet të proklamohen ato si suksese për BE-në dhe në shumicën e rasteve, gjithçka ka mbetur në atë nivel, jemi në situatë ku plotë prej marrëveshjeve të nënshkruara nuk janë zbatuar, duke pasur parasysh këtë ngathtësi këtë pafuqi të BE-së, që ka shumë probleme të mëdha brenda vetës”, tha Mushkolaj për KALLXO.com.

Për të, reciprociteti i targave ka prodhuar një momentum të ri, të cilin Kosova duhet të shfrytëzoj.

“Është hera e parë që Escobar merr pjesë në një takim të tillë edhe po ashtu, është hera e parë që në një far forme, veprimi i Kosovës e provokon një takim të nivelit të lartë në Bruksel. Nuk mund të priten mrekulli, mirëpo është një hap i mirë, një qasje e re nga SHBA-të që të zbresin në terren dhe ta shohin se cilat janë problemet mes palëve dhe pastaj të propozojnë edhe zgjidhje”, tha ai.

Sipas analistit Mushkolaj, SHBA-të dhe BE-ja duhet të vendosin disa korniza mbi të cilat Kosova dhe Serbia do të arrijnë marrëveshjen përfundimtare dhe jo të vazhdohet siç është bërë deri tani.

“Marrëveshja përfundimtare nuk mund të arrihet pa përfshirjen e SHBA-ve. Unë nuk shoh marrëveshje përfundimtare në horizont, për shkak që arritja e një marrëveshje përfundimtare, do t’i zgjidhte edhe problemet e ashtuquajtura teknike, por që janë politike mes dyja shteteve. SHBA-të së bashku me BE-në t’i vendosin disa korniza sesi mund të arrihet një marrëveshje ndërkombëtare, pra po flas për një lloj ‘imponimi’ të disa kornizave e ku rolin kryesor do të kenë SHBA-të”, tha ai.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në vitin 2011, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Në vitin 2016, po ashtu ishte arritur pajtimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel që automjetet me targa ‘KS’ të vazhdonin të jenë në qarkullim edhe për një afat prej pesë vjetësh, pra deri më 14 shtator të këtij viti, kur edhe ka skaduar kjo marrëveshje.

E konfirmon ambasada amerikane: SHBA do jetë në takimin Bislimi-Petkoviq në Bruksel