“Lëmshi” për vaksinimin e mjekëve kosovarë në Shqipëri

Mjekët nga Kosova të cilët janë në vijë të frontit me pandeminë në kuadër të shërbimeve, ende nuk kanë nisur vaksinimin kundër COVID-19 në Shqipëri.

Shqipëria nuk do të vaksinojë mjekët në mënyrë vullnetare pa pasur kërkesë dhe listë zyrtare të stafit mjekësor të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës.

Ndërkaq, kjo e fundit ka deklaruar se deri tani shkresë zyrtare për vaksinim të personelit shëndetësor kosovar në Shqipëri nuk ka pasur, përveç kontakteve telefonike midis ministrave.

MSh-ja thotë se ka kërkuar nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), që të përgatisin listën e personelit shëndetësor që dëshiron të vaksinohet në Shqipëri vullnetarisht, por sipas tyre fokusi është që vaksinimi të fillojë sa më parë në Kosovë.

Ditë më parë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se mjekët e Kosovës do të vaksinohen në Kukës.

Fillimisht, Rama kishte premtuar se në Kosovë do të dërgojë një dozë të vaksinave në Kosovë, por më pas kishte thënë se mantelbardhët e Kosovës do të duhet të shkojnë në Shqipëri për të marrë vaksinat.

Në lidhje me këtë çështje, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi ka thënë për KALLXO.com se arsyet se pse mjekët nuk janë vaksinuar janë të thjeshta.

Sipas tij, Shqipëria e ka të vështirë të vaksinojë mjekët mbi baza vullnetare.

“Qeveria e Shqipërisë i ka bërë propozim Qeverisë së Kosovës për të vaksinuar në Kukës mjekët e frontit të parë, infeksionistëve të Kosovës dhe mjekët që merren me Covid gjatë kësaj periudhe dhe akoma nuk kemi pasur një përgjigje që pranohet ose jo”, tha ai.

Ambasadori ka shtuar se në këto dy-tri ditët e fundit, individ të caktuar mjekë të Kosovës, kanë tentuar të vaksinohen në Kukës, “por ky proces është shumë i vështirë për t’u kryer individualisht sepse edhe në Shqipëri ky proces është kryer në formë grupi ose grupacioni si i thoni këtu në Kosovë”.

“Prandaj ne nuk mund të vaksinojmë çdo mjek që mund të paraqitet në qendrën ku bëhen vaksinimet në Kukës pa pasur një listë nga një institucion. Në ditën e parë, në mos gaboj, kanë marrë këtë shërbim një apo dy mjek por më vonë është ndaluar ky proces”, ka theksuar ai.

Ambasadori tutje ka thënë për KALLXO.com, se Shqipëria është e gatshme për të ofruar këtë ndihmë, por në mënyrë zyrtare dhe për atë kategori mjekësh që Kosova e shikon si më emergjente ose është e domosdoshme për momentin.

“Ka një komunikim mes ministrave të Shëndetësisë të Kosovës dhe Shqipërisë, është përcjellë nga Shqipëria, dhe Kosova sot ka një ofertë zyrtare nga Shqipëria, por ne ende nuk kemi marrë një përgjigje zyrtare se si do të jetë qëndrimi i palës kosovare”, përfundoi ai.

Në anën tjetër, Ministria e Shëndetësisë së Kosovës, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se e kanë mirëpritur veprimin e qeverisë shqiptare.

“Deri tani shkresë zyrtare për vaksinim të personelit shëndetësor kosovar në Shqipëri nuk ka pasur, përveç kontakteve telefonike midis ministrave dhe faktit që MSh ka mirëpritur këtë gjest të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë”, thuhet në përgjigje.

MSh tutje ka theksuar se ka kërkuar nga SHSKUK, që të përgatisin listën e personelit shëndetësor që dëshiron të vaksinohet në Shqipëri vullnetarisht, një numër simbolik sa është ofruar nga Shqipëria.

“Pra, varet edhe nga vullneti i personalit shëndetësor, meqë vaksina ka efekte preventive, por ligjërisht jo e detyrueshme, së paku deri tani. MSh nuk ka refuzuar këtë ndihmë simbolike, por është e kuptueshme që  fokusi është që vaksinimi të fillojë sa më parë në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e tyre për KALLXO.com.

Kosova është i vetmi vend në rajon që ende nuk ka siguruar vaksinën kundër COVID-19, ndërsa Qeveria në detyrë ka premtuar se vaksinat do të vijnë brenda javësh.