LDK-PDK vendosin aksionarët e tyre në 10 ndërmarrje publike lokale - VIDEO

Kuvendi i Komunës së Prishtinës ka votuar caktimin e anëtarëve në komisionet e aksionarëve të dhjetë ndërmarrje publike lokale.

Në bazë të ndarjes, partnerit qeverisës – Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i takojnë aksionarët në katër ndërmarrje publike lokale. 

Sepse në bazë të nenit 5 të Ligjit për Ndërmarrje Publike, kur një komunë është aksionar në një NP Lokale, të drejtat e saj të aksionarit do të ushtrohet nga një Komision Komunal i Aksionarëve, i cili përbëhet nga një anëtar i emëruar nga kryetari i Komunës dhe dy anëtarë të tjerë të emëruar nga Kuvendi Komunal.

Asamblisti Leutrim Retkoceri nga PDK-ja i bëri thirrje opozitës që të propozojnë edhe ata anëtarë, e të bëhen bashkë për Prishtinën.

“Ftoj edhe opozitën që ta ushtrojë të drejtën e vetë se ikja nuk i bënë as përgjegjës as kompetent në rolin që e kanë për përfaqësimin e qytetarëve. Nëse keni propozime hajdeni të bëhemi bashkë për Prishtinën”, tha Retkoceri.

Sami Borovci nga Aleanca Kosova e Re (AKR) tha se qenka bërë një “pazar i mirë”, por tha se presin që të punohet për ndryshimin e gjendjes jo të mirë në të cilat ndodhen disa ndërmarrje.

“Nuk kemi propozime, veç e mora fjalën është njëra prej mekanizmave të rendësishme. E paskit bë pazarin e mirë, ka qenë e pritshme. Presim nga këto komsione me qu njerëz profesionista se disa janë në gjendje shumë të keqe. Pra jo me qenë asamblista me marrë një pagë por me prodhu prej një bordi profesional”, tha Borovci.

Edhe asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, deklaroi se nuk do të japin propozime, pasi siç tha ai, do të qëndrojnë si opozitë sipas vullnetit të qytetarëve.

“Ndarje e interesave, secila parti me ndërmarrjet e veta, se që jeni partner e dimë, por që jeni shkri në një subjekt po shihet kur shefja e grupit të LDK-së i tha propozimet edhe të PDK-së. U tregoi që nuk janë kompetent e të papërfillshëm, andaj do të jenë të ulën aty prapa gjithmonë. Kemi pasur oferta, por qytetarët kanë vlerësu që na me qenë opozitë, na do të vazhdojmë të jemi opozitë”, tha ai.

Kjo është ndarja e aksionarëve në dhjetë ndërmarrje publike lokale: 

  • Ngrohtorja “Termokos” – Jeta Rafuna (LDK) dhe Milazim Vitija (LDK)
  • Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) – Leutrim Retkoceri (PDK) dhe Granit Geci (PDK) 
  • Kompania “Pastrimi” – Muhamet Selmani (PDK) dhe Shegë Beqiri (PDK)
  • “Hortikultura” – Kumrije Shabani (PDK) dhe Arbnora Ajeti (PDK)
  • “Trafiku Urban” – Agron Canolli (PDK) dhe Fatmir Dervishi (PDK)
  • “Sport Marketing” – Pellumb Bajçinovci (LDK) dhe Elmire Nikçi  (LDK)
  •  “Stacioni i Autobusëve” – Donjeta Dragusha (LDK) dhe Amir Simnica (LDK)
  • “Prishtina Parking” – Lindita Rexhepi (LDK) dhe Sami Salihu (LDK)
  • “Kuzhina qendrore” – Dasmor Durmishi (LDK) dhe Agim Kuleta (LB)
  •  “Pallati i Rinisë” – Dhurata Retkoceri (LDK) dhe Fitnete Bejta (LDK)